spurgeon dev 05 pm
October 2023

Ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet.

Marku 16:16

Zoti Macdonald i pyeti banorët e ishullit të Shën Kildës se si shpëtohet një njeri. Një i moshuar u përgjigj: “Shpëtohemi po qe se pendohemi, braktisim mëkatet tona dhe kthehemi te Zoti.” “Po”, shtoi një mesogrua, “dhe kur e bëjmë këtë gjë me gjithë zemër”. “Po”, shtoi një i tretë, “edhe kur lutemi”; një e katërt ia priti: “Lypset një lutje që vjen nga zemra.” “Po ashtu, duhet të jemi të zellshëm”, tha një i pestë, “në zbatimin e urdhërimeve”. Kështu, pasi secili e vuri gurin e vet mbi mur, duke qenë të sigurt se ishte formuluar një shpallje shumë e denjë besimi, ata të gjithë i hodhën sytë drejt predikuesit dhe pritën për miratimin e tij, kur, në fakt, kishin ngjallur veç keqardhjen e tij më të thellë. 

Mendja mishërore përpiqet përherë të gjejë një mënyrë për t’i gjetur punë natyrës së vjetër dhe për ta bërë atë të rëndësishme, por mënyra se si punon Zoti është krejt e kundërta. Të besuarit dhe të qenët i pagëzuar nuk janë çështje meritash me të cilat të lëvdohemi—ato janë kaq të thjeshta, saqë nuk lënë vend për mburrje. Mund të ndodhë që lexuesi të jetë i pashpëtuar—cila është arsyeja vallë? A mos mendon vallë se rruga e shpëtimit, siç përshkruhet në këtë varg, është e dyshimtë? Vallë, si mund të jetë e tillë kur Perëndia ka dhënë fjalën e Vet si peng të sigurisë së saj? A mos mendon vallë se është një rrugë tepër e lehtë? Atëherë, përse nuk e ndjek atë?

Prandaj, nuk ka justifikim për ata që nuk e ndjekin atë rrugë. Të besosh do të thotë thjesht të kesh besim, të varesh dhe të mbështetesh te Krishti Jezus. Të pagëzohesh do të thotë t’i nënshtrohesh urdhërimit që Zoti ynë e përmbushi në lumin Jordan, të cilit besimtarët e parë iu bindën në ditën e Rrëshajëve dhe të cilin gardiani i burgut e vuri në jetë po atë natë të kthimit të vet në besim. Nuk është pagëzimi në vetvete ai që na shpëton, por ai portretizon vdekjen, varrimin dhe ringjalljen tonë bashkë me Jezusin, dhe ashtu si Darka e Zotit, nuk duhet lënë pas dore. Lexues, a beson ti në Jezusin? Atëherë, mik i dashur, flaki tej frikërat e tua—ti do të shpëtohesh! A je ende jobesimtar? Atëherë, kujtoji vetes se ka vetëm një derë, dhe nëse nuk do të hysh përmes saj, do të humbasësh në mëkatet e tua.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>