A ke arritur vallë deri në burimet e detit?
Jobi 38:16
Janë disa elemente të natyrës që mbeten një mister edhe për studiuesit më inteligjentë dhe të zellshëm. Ekzistojnë disa caqe përtej të cilave njohja njerëzore nuk shkon dot. Njohja e gjithëmbarshme i takon vetëm Perëndisë. Në qoftë se kjo është e vërtetë për gjërat e dukshme dhe materiale, mund të jem i sigurt që kjo është edhe më e vërtetë për gjërat frymërore dhe të përjetshme. Përse, atëherë, kam qenë duke e torturuar kaq gjatë mendjen time duke spekuluar për sa i përket sovranitetit hyjnor dhe përgjegjësisë njerëzore? Këto të vërteta të thella e të panjohura nuk mund t’i kuptoj dot kurrë, sikurse nuk mund ta zbuloj dot burimin nga i cili oqeani i merr rezervat e tij ujore.
Përse vallë jam kaq kureshtar të di arsyet e provanive të Zotit tim, motivet e veprimeve të Tij dhe qëllimin e vizitave të Tij? A do të jem ndonjëherë i aftë ta shtrëngoj diellin në grushtin tim apo ta mbaj gjithësinë në timen dorë? E megjithatë, këto janë si një pikë uji në një kovë krahasuar me Zotin Perëndinë tim. Le të mos përpiqem ta njoh të pafundmen, por le ta harxhoj fuqinë time në dashuri. Atë që nuk e ngërthej dot përmes intelektit, e zotëroj falë dashurisë, dhe kjo le të më mjaftojë. Nuk mund të depërtoj deri në zemër të detit, por mund të shijoj flladet e shëndetshme detare që më fryjnë në kraharor, dhe mund të lundroj mbi valët e tij blu me erëra të mbara.
Në qoftë se do të arrija deri te burimet e detit, kjo bëmë nuk do t’i sillte askujt dobi, as mua dhe as të tjerëve; ajo nuk do ta shpëtonte dot anijen që mbytet, dhe as do t’ia kthente detarin e mbytur gruas dhe fëmijëve të tij vajtues. Po kështu edhe zgjidhja e mistereve të thella nuk do të më sillte asnjë përfitim. Vepra më e thjeshtë e bindjes ndaj Tij, vlen shumë më tepër sesa njohja më e thellë. Zoti im, e lë të pafundmen në duart e tua dhe të lutem të largosh nga unë dashurinë për pemën e njohurisë, sepse mund të më pengojë në udhën drejt pemës së jetës!
© dritez.al 2024