spurgeon dev 05 qershor am
Qershor 2023

Pastaj Zoti i mbylli brenda.

Zanafilla 7:16

Dora e dashurisë hyjnore e mbylli Noeun [dhe të tijtë] larg botës. Dora e qëllimit zgjedhës të Perëndisë na ndan prej botës që dergjet nën pushtetin e të ligut. Ne nuk i përkasim botës, ashtu si edhe Zoti ynë Jezus nuk ishte i kësaj bote. Nuk mund të marrim pjesë në mëkatet, dëfrimet dhe zbavitjet e turmës; nuk mund të luajmë në rrugët e Panairit të Kotësive me fëmijët e errësirës, sepse Ati ynë qiellor na ka mbyllur larg tyre.

Noeu u mbyll brenda me Perëndinë e Tij. “Hyni në arkë”, kjo ishte ftesa e Zotit, përmes së cilës Ai e tregoi qartë se Ai Vetë kishte ndërmend të banonte në atë arkë me Noeun dhe familjen e tij. Kështu, gjithë të zgjedhurit banojnë në Perëndinë dhe Perëndia në ta. Lum si ata që bëhen pjesë e të njëjtit rreth që përmban Perëndinë në Trininë e personave të Tij—Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë! Kurrë mos qofshim të pavëmendshëm ndaj asaj thirrjeje të hirshme: “Shko, o populli im, hyr në odat e tua dhe mbylli dyert e tua pas vetes; fshihu atje për një çast, derisa të kalojë zemërimi.”

Noeu u mbyll brenda në një mënyrë aq të sigurt, saqë asnjë e keqe nuk mund t’i qasej. Përmbytja nuk i bëri asgjë tjetër atij, përveçse e ngriti më pranë qiellit, dhe erërat veç e shtynë përpara në udhën e Tij. Jashtë arkës gjithçka po shkatërrohej, ndërsa brenda saj gjithçka ishte në paqe dhe qetësi. Pa Krishtin humbasim, por në Krishtin Jezus ka siguri të përsosur.

Noeu u mbyll brenda në një mënyrë të tillë, që madje as të mos dëshironte të dilte jashtë, dhe ata që janë në Krishtin Jezus, janë në Të për jetë e mot. Ata janë atje përgjithmonë, sepse besnikëria e përjetshme i ka mbyllur brenda, dhe ligësia e ferrit nuk ka as mundësinë më të vogël për t’i nxjerrë me forcë përjashta. Perëndia mbyll derën, dhe askush nuk mund ta hapë më; dhe, në ditët e fundit, kur Ai të ngrihet dhe ta mbyllë derën si i Zoti i shtëpisë që është, do të jetë e kotë për ata që e shpallin besimin veç me gojë, që të trokasin dhe të klithin: “Zot, Zot, hapna derën!”, sepse e njëjta derë që i mbyll brenda virgjëreshat e mençura, do t’i mbajë jashtë budallaqet për jetë e mot. Zot, të lutem, më mbyll brenda përmes hirit Tënd!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin