Ai, që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë.
1 e Gjonit 4:8
Shenja dalluese e një të krishteri është besimi i tij në dashurinë e Krishtit për të dhe dashuria që ai ka për Krishtin në këmbim. Së pari, besimi i vë vulën e vet njeriut, duke e aftësuar shpirtin që, së bashku me apostullin, të shpallë: “[Krishti] më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Atëherë, dashuria vendos nënshkrimin e saj dhe e vulos zemrën me mirënjohje dhe dashuri për Jezusin në këmbim. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 e Gjonit 4:19).
Në ato kohë të vjetra të lavdishme, të cilat përbëjnë periudhën më heroike të besimit të krishterë, kjo shenjë e dyfishtë dukej qartë te të gjithë ata që besonin në Jezusin. Ata ishin njerëz që e njihnin dashurinë e Krishtit dhe mbështeteshin në të, porsi ai i moshuari që mbështetet me besim në një bastun, sepse e ka provuar fortësinë e tij sa e sa herë. Dashuria e tyre për Zotin nuk ishte një emocion i qetë, të cilin e fshihnin brenda tyre, në dhomën e fshehtë të shpirtrave të tyre dhe për të cilin flisnin vetëm kur mblidheshin në ditën e parë të javës dhe këndonin himne për nder të Krishtit Jezus të kryqëzuar. Ajo dashuri ishte një pasion i brendshëm me një fuqi kaq të zjarrtë dhe gjithëpërfshirëse, saqë dukej në të gjitha veprimet e tyre, ndihej në të folurin e tyre dhe shkëlqente në sytë e tyre, edhe në shikimet më të zakonshme. Dashuria për Jezusin ishte si një flakadan që ushqehej në vetë thelbin dhe zemrën e qenies së tyre, dhe kështu shpërhapej me forcën e vet në sjelljen e tyre dhe shndriste në të. Zelli për lavdinë e Mbretit Jezus ishte vula dhe shenja dalluese e të gjithë të krishterëve të vërtetë.
Për shkak të varësisë së tyre në dashurinë e Krishtit, ata ishin tej mase guximtarë, dhe për shkak të dashurisë së tyre për Krishtin, ata nuk linin gjë pa bërë [për Zotin e tyre], dhe e njëjta gjë vlen edhe sot. Dashuria sundon madje edhe mbi fuqitë më të brendshme të fëmijëve të Perëndisë. Dashuria e Krishtit i shtrëngon; ata gëzohen që dashuria hyjnore është vendosur mbi ta; e ndiejnë atë dashuri të derdhet në zemrat e tyre me anë të Frymës së Shenjtë, i cili u është dhënë atyre, dhe pastaj, me anë të forcës së mirënjohjes, e duan Shpëtimtarin me një zemër të pastër e me shumë zjarr.
Lexues i dashur, a e do ti Atë? Përpara se të biesh të flesh, jepi një përgjigje të ndershme kësaj pyetjeje jetike!
© dritez.al 2024