qershor 5

Qershor 2022


Një nga dëshmitë më të fuqishme për gjithëmjaftueshmërinë e hirit të ardhshëm të Perëndisë është “parimi i besimit”, i cili ka udhëhequr jetët e shumë misionarëve, sidomos ata të Overseas Missionary Fellowship (OMF).

Pa i dënuar ata që ndjekin një model tjetër, praktika e atyre që ndjekin hapat e Hudson Taylor dhe George Mueller ka qenë që t’i prekin zemrat e mbështetësve për të dhënë, duke ia drejtuar kërkesat e tyre Perëndisë dhe jo njerëzve.

James H. Taylor, stërnipi i themeluesit të OMF, shpjegon se si ky besim në hirin e ardhshëm, i rrënjosur në demonstrimet e hirit të mëparshëm, e nderon Perëndinë:

Ne... fillojmë nga një pozitë besimi. Ne besojmë se Perëndia ekziston dhe jemi të bindur plotësisht për këtë gjë, në shumë mënyra. Gjithsesi, të gjithë ne kemi përjetuar hirin e Perëndisë që na bëri ta njohim Atë përmes Jezu Krishtit dhe përmes rilindjes nga Fryma e Tij. Ne besojmë se kemi shumë arsye të mira për të besuar në Të përmes faktit historik të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish: ne besojmë se dikush që tha se do të vdiste dhe do të ringjallej sërish, dhe kështu bëri, është i besueshëm në çdo mënyrë tjetër. Prandaj, ne jemi të përgatitur për t’i besuar Atij, jo vetëm për shpëtimin e përjetshëm të shpirtrave tanë, por edhe për sigurimin praktik të bukës tonë të përditshme dhe për mbështetje financiare.

OMF boton dëshmi të besnikërisë së mahnitshme të Perëndisë për të demonstruar lavdinë e hirit të Tij të ardhshëm që siguron për gjithçka. “Ne duam të demonstrojmë që Perëndisë mund t’i besojmë që të bëjë gjithë sa Ai thotë se do të bëjë, duke treguar se si Ai ka siguruar për nevoja të tilla të zakonshme si bileta avioni, vakte, shpenzime mjekësore dhe mbështetje të rregullt ndaj një grupi të tërë njerëzish të krishterë, për më shumë se njëqind vjet.”

OMF është e përkushtuar ndaj përlëvdimit të besueshmërisë së Perëndisë—në mesazhin dhe në metodën e tyre. Hudson Taylor e tha kështu: “Ekziston një Perëndi i gjallë. Ai ka folur në Bibël. Ai e ka me gjithë mend atë që thotë dhe do të bëjë gjithçka që ka premtuar.”

Jetët e besimit janë pasqyra e madhe e besueshmërisë së Perëndisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia