artikull qershor

Qershor 2022


Pas shërbesës së dytë, të dielën e kaluar, një vajzë e re më prezantoi me një mikun e saj, për të cilin më tha se kishte një pyetje. Ai ishte i pasigurt për “paracaktimin” dhe nuk dinte mirë si ta bënte pyetjen. E admirova për kurajën që tregoi.

Kisha shumë pak kohë midis dy shërbesave dhe u përpoqa ta shpjegoja sa më pozitivisht të mundesha, që Perëndia është një Perëndi i cili duhet të marrë gjithë lavdinë për shpëtimin tonë, dhe se nga natyra jemi mëkatarë të vështirë dhe rebelë. Do të ishim tërësisht të humbur, nëse Perëndia nuk do të mposhte rezistencën tonë në sovranitetit e Tij. Prandaj, konvertimi ynë dhe lavdia e Perëndisë varen nga hiri sovran dhe i lirë i Perëndisë.

Në fakt, nuk fola shumë, sepse nuk kisha shumë kohë. Po pas tij, qëndronte një burrë, i cili pasi unë përfundova, tha: “Unë jam babai i tij dhe jam po aq i krishterë sa ai, megjithatë të dy po e marrim në konsideratë.” Ai buzëqeshi. Ndërsa u larguan, unë i thashë: “Do të më pëlqente të takoheshim dhe të flisnim për këtë kurdo të jetë mirë për ju.”

Ky ishte inkurajim i madh për mua. Ka jo të krishterë në shërbesat tona çdo javë dhe shumë prej tyre po “e konsiderojnë”. Sa do të donim t’i shihnim të shpëtuar! Çfarë privilegji! Çfarë përgjegjësie e madhe!

Megjithatë, jo vetëm për mua, por edhe për ty! A mund të fillojmë t’i shohim shërbesat tona gjithnjë e më shumë si vendin ku do të vijnë jobesimtarë dhe do të “konsiderojnë Krishtin”? Nuk duhet të hapim rubinetin e ekspozitave biblike për të plotësuar nevojat e tyre. Ata duan të dëgjojnë atë që besojnë të krishterët. Ata duan të shohin si është të jesh i krishterë. Ata duan të shohin si adhurojmë dhe si e trajtojmë njëri-tjetrin.

A mund të fillosh të lutesh më qëllimisht për konvertimin në shërbesat tona të së dielës? Kjo është një përpjekje në grup për “ungjillëzimin në adhurim”. Ti je një hallkë kyç–përmes lutjes, për Dean dhe për mua, ndërsa planifikojmë. Gjithashtu dhe për lutësit, këngëtarët dhe nxitësit, edhe për bashkësinë dhe atmosferën e nderimit të sinqertë.

Ti je gjithashtu një pjesë kyç në mënyrën si dëgjon, si këndon dhe si lutesh–vizitorët e kuptojnë nëse njerëzit përreth tyre janë vërtet të përqendruar te Perëndia. Je gjithashtu hallkë kyç në miqësinë që shfaq pas shërbese. Fol me njerëzit përreth teje. Perëndia mund të të japë edhe dhuntinë e dallimit të shqetësimit shpirtëror të disa personave! Kujto moton: Eja nën kullën e vrojtimit të Perëndisë, dil në kullën e vrojtimit për njerëzit!

Ajo që dua vërtet të theksoj është ideja se shërbesat adhuruese janë një vend i shkëlqyer për t’i sjellë jobesimtarët që t’i ekspozohen Krishtit. Ndonjëherë, dëshmia personale të çon deri në një pikë dhe një ftesë specifike për në kishë mund të jetë një hap i dobishëm i radhës. Mos u step nga ideja se shërbesat tona nuk janë “ungjillëzuese”! 1 e Korintasve 14:24-25 thotë: “Por në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn ndonjë jobesimtar ose i paditur, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë. Dhe kështu, të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush.”

Kjo mund të ndodhë në Bethlehem. Le të lutemi gjithnjë e më shumë për këtë. Le t’u afrohemi atyre që vijnë. Le të ftojmë miqtë tanë jobesimtarë dhe të lutemi me ta që të pranojnë. Dhe Perëndia na ndihmoftë që të tregojmë një shpëtim kaq të jashtëzakonshëm saqë kur jobesimtarët “ta marrin në konsideratë”, të pushtohen nga tërheqja e tij.

Duke mbjellë me ju e duke u lutur për të korrën,

Pastor John.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/im-not-a-christian-but-im-considering-it  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>