Prill 2023

…ia vunë kryqin që ta mbartte pas Jezusit.

Luka 23:26

Në mbajtjen e kryqit nga ana e Simonit vërejmë një shëmbëlltyrë të veprës së kishës brez pas brezi: ajo është mbajtësja e kryqit pas Jezusit. Vër re, o i krishterë, se Jezusi nuk vuan që ti t’i shpëtosh vuajtjes! Ai e mban kryqin jo që ti t’i bishtnosh atij, por që ta durosh atë. Krishti të çliron nga mëkati, por jo nga vuajtja. Mbaje vath në vesh këtë dhe prit që të vuash! Mirëpo, le të ngushëllohemi me mendimin se ne, ashtu si edhe Simoni, nuk mbartim kryqin tonë, por atë të Jezusit. Kur të përndjekin për shkak të perëndishmërisë sate, kur për shkak të besimit tënd kalon sprovën e përqeshjeve mizore, atëherë kujtoji vetes se nuk është kryqi yt, por është kryqi i Krishtit; dhe se çfarë privilegji i madh është që ta mbajmë kryqin e Zotit tonë Jezus!

Ti po e mbart kryqin pas Tij. Je në shoqëri të bekuar, sepse shtegu yt është shënjuar nga gjurmët e Zotit tënd. Shenja e shpatullës së Tij të gjakosur është mbi atë peshë të rëndë. Është kryqi i Tij, dhe Ai shkon përpara teje ashtu si bariu përpara deleve të tij. Merre kryqin tënd ditë për ditë dhe shkoji pas Atij!

Po ashtu, mos harro se nuk po e mban vetëm këtë kryq! Disa mendojnë se Simoni mbajti vetëm njërën anë dhe jo të gjithë kryqin. Ka shumë gjasa që kjo të jetë e vërtetë, dhe Krishti mund të ketë mbajtur pjesën më të rëndë, pikërisht aty ku bashkohen drurët, ndërsa Simoni të ketë mbajtur anën më të lehtë. Me siguri që kështu është edhe me ty, sepse ti mban vetëm pjesën më të lehtë të kryqit, ndërsa Krishti mbajti pjesën më të rëndë të tij.

Dije gjithashtu se edhe pse Simonit iu desh që ta mbante kryqin vetëm për një copë rrugë, kjo i dha atij nderim të përjetshëm. Kështu do të ndodhë edhe me ne: do ta mbajmë kryqin maksimumi për pak kohë, dhe pastaj do të marrim kurorën dhe lavdinë. Natyrisht që duhet ta duam kryqin dhe në vend që të zmbrapsemi prej tij, duhet ta konsiderojmë si një gjë shumë të shtrenjtë, sepse ai prodhon për ne një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin