“Përpara lavdisë vjen përulësia.”
Fjalët e urta 15:33
Përulësia e shpirtit është gjithmonë mbartëse e një bekimi të vërtetë. Nëse i zbrazim zemrat tona nga dashuria për veten, me siguri që Perëndia do t’i mbushë ato me dashurinë e Tij. Nëse dëshirojmë një përbashkësi të ngushtë me Krishtin, duhet t’i kujtojmë këto fjalë të Zotit: “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime” (Isaia 66:2).
Përkuluni nëse doni të ngjiteni në qiell! A nuk është thënë vallë për Jezusin: “Ai, që zbriti, është po ai, që edhe u ngjit” (Efesianëve 4:10)? Ashtu si Ai duhet të bësh edhe ti. Duhet të rritesh në përulësi, që të ngjitesh lart; sepse përbashkësinë më të ëmbël me qiellin do ta shijojnë veç shpirtrat e përulur dhe vetëm ata. Perëndia nuk do t’ia mohojë asnjë bekim një shpirti plotësisht të përulur. “Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve” (Mateu 5:3), me gjithë pasuritë dhe thesaret e saj. Tërë thesaret e Perëndisë do të jenë në dispozicion të shpirtit që është mjaftueshëm i përulur, sa të jetë në gjendje që t’i pranojë ato pa u bërë krenar për shkak të tyre.
Perëndia e bekon secilin prej nesh deri në maksimumin e mundshëm të asaj që Ai mund ta japë pa rrezikuar. Nëse nuk e merrni një bekim, kjo ndodh ngaqë marrja e tij mund të kthehej në një rrezik për ju. Nëse Ati ynë Qiellor do ta linte shpirtin tuaj krenar të fitonte një betejë në luftën e Tij të shenjtë, ju do ta rrëmbenit për veten tuaj kurorën e fitores dhe do të binit viktimë në betejën e radhës. Zoti ju mban të përulur për vetë sigurinë tuaj!
Nuk ka asnjë kufizim në atë që mund të bëjë Perëndia për një njeri i cili është sinqerisht i përulur dhe që nuk guxon kurrë të marrë për vete as edhe një grimcë merite apo lavdie. Përulësia na gatit për të marrë bekime nga Perëndia i çdo hiri dhe na pajis për t’u sjellë ashtu siç duhet me të afërmit tanë. Përulësia e vërtetë është si një lule që do ta zbukuronte çdo kopsht. Kjo është një salcë e cila do t’i japë shije çdo gjelle të jetës, dhe nuk ka gjellë që ajo nuk e bën më të shijshme. Qoftë në lutje apo në lavdërim, qoftë në punë apo në vuajtje, le ta përdorim kripën e vërtetë të përulësisë pa pasur frikë se mos po e teprojmë!
© dritez.al 2024