spurgeon dev 05 nëntor am
November 2023

“Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.”

Isaia 54:17

Kjo ditë mbahet mend në historinë e Anglisë si dita kur Perëndia na dhuroi dy çlirime madhështore. Në këtë ditë, në vitin 1605, u zbulua komploti i katolikëve për të shkatërruar selinë e Parlamentit.

Kur për princat tanë po përgatisnin
Në llagëme t’thella një kurth të zjarrtë,
Nga qielli Ai hodhi një rreze tejshpuese,
Dhe pabesinë e zezë nxori në dritë të qartë.

Dhe së dyti, po sot është përvjetori i zbarkimit të Mbretit William III në Torbay në vitin 1688, që ishte një ngjarje jetike për themelimin e lirisë fetare.

Kjo ditë nuk duhet kremtuar me festa të shthurura adoleshentësh, por me këngë shenjtorësh. Etërit tanë puritanë [duke e kuptuar domethënien e kësaj ngjarjeje], me devotshmëri të pashoqe, e shndërruan atë në një rast të veçantë falënderimi. Ekzistojnë ende tekstet e predikimeve që Mathew Henry* predikonte vit pas viti në këtë ditë. Bindjet tona dhe dashuria jonë për lirinë duhet të na shtyjnë që t’i qasemi këtij përvjetori me mirënjohje të shenjtë. Le të shpallin zemrat dhe buzët tona: “E kemi dëgjuar me veshët tanë, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta” (Psalmi 44:1). 

Ti e ke kthyer këtë komb në banesën e Ungjillit; dhe kur armiku është ngritur kundër tij, Ti i je bërë mburojë. Na ndihmo të të thurim këngë pas kënge për shpëtimet e tua të përsëritura. 

Na e shto gjithnjë e më shumë urrejtjen ndaj mëkatit, dhe afroje ditën e ardhjes Sate! Deri atëherë dhe për jetë e mot, ne besojmë premtimin: “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.” A nuk duhet të jetë barrë në zemrën e çdokujt që e do Ungjillin e Jezusit sot, që të përgjërohet për përmbysjen e doktrinave të rreme dhe ngadhënjimin e së vërtetës hyjnore? A nuk do të bënim mirë sikur t’i shqyrtonim zemrat tona dhe t’i pastronim ato prej trarëve të vetëdrejtësisë që mund të fshihen brenda tyre?

*Shënim i përkthyesit: Matthew Henry (1662 – 1714) ishte një pastor presbiterian dhe një komentues i mirënjohur i Biblës.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>