spurgeon dev 05 nëntor pm
November 2023

Kremtojeni, bekoni emrin e tij.

Psalmi 100:4

Zoti ynë do të dëshironte që të gjithë njerëzit e Tij të ishin të pasur në mendime fisnike e të hareshme rreth personit të Tij të bekuar. Jezusi nuk është aspak i kënaqur nëse vëllezërit e Vet ushqejnë mendime të padenja rreth Tij; e vetmja gjë që i fal kënaqësi, është që populli i Vet të kënaqet me bukurinë e Tij. Nuk duhet ta trajtojmë Atë si një domosdoshmëri bazë, si bukë e ujë, por si një ushqim të zgjedhur dhe luksoz, si një gjellë të rrallë dhe të shijshme. Ja pse Ai e ka zbuluar Veten si “një margaritar me vlerë të madhe”, me bukurinë e vet të pashoqe, si një “qeskë mirre” (Kënga e Këngëve 1:13), me erën e vet ripërtëritëse, si “trëndafili i Sharonit” me aromën erëmirë që zgjat, si “zambaku” me dëlirësinë e tij të panjollë. 

Një ndihmë e mirë për të pasur mendime fisnike rreth Krishtit, është t’i kujtosh vetes vlerësimin që gëzon Krishti përtej qiejve, aty ku gjërat maten me standardin e duhur. Pa mendo pak se sa lart e vlerëson Perëndia të Vetëmlindurin, dhuratën e Tij të patregueshme për ne! Pa mendo pak se ç’mendojnë engjëjt për Të, se sa për nder të madh e kanë ata t’i mbulojnë fytyrat poshtë këmbëve të Tij! Pa mendo pak se ç’mendojnë për Të ata që janë pastruar nga gjaku, tek i këndojnë Atij ditë e natë lavdet që aq shumë i meriton! Mendimet fisnike rreth Krishtit do të na bëjnë të aftë që të sillemi në përputhje me marrëdhënien që na lidh me Të. Sa më lart që fronëzohet Krishti përpara nesh dhe sa më ulët që përulemi përpara këmbëve të fronit, aq më shumë do të jemi të përgatitur që ta luajmë rolin tonë përpara Tij. 

Zoti ynë Jezu Krisht dëshiron që të kemi mendime të mira rreth Tij, që t’i nënshtrohemi plot gëzim autoritetit të Tij. Mendimet fisnike për Të e shtojnë dashurinë tonë, sepse dashuria dhe vlerësimi janë si motër e vëlla. Prandaj, besimtar, kalo kohë duke menduar rreth virtyteve të larta të Mësuesit tënd! Sodite në lavdinë e Tij para mishërimit, përpara se të merrte mbi Vete natyrën tënde! Pa mendo pak për dashurinë e fuqishme, e cila e bëri të zbriste nga froni, që të vdiste mbi kryqin! Pa admiroje pak tek i mposht gjithë fuqitë e ferrit! Pa shihe atë të ringjallur, të kurorëzuar dhe të përlëvduar! Përulu përpara Tij si i Mrekullueshmi, Këshilltari [i admirueshëm], i fuqishmi Perëndi, sepse vetëm kështu dashuria jote për Të do të jetë ajo e duhura!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>