5 mars

Mars 2022  


Damari i konsideratës për veten i lakmon fort lajkat e aprovimit të vetes. Nëse kënaqësia na vjen nga ndjenja e vetëmjaftueshmërisë, do të kënaqemi vetëm kur të tjerët të duartrokasin për vetëmjaftueshmërinë tonë.

Prandaj, te Mateu 23:5, Jezusi i përshkruan skribët dhe farisenjtë kështu: “Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë që të shihen nga njerëzit.”

Sa ironike! A nuk do të mendonit që vetëmjaftueshmëria do ta çlironte personin nga nevoja për lavdërimin e të tjerëve? Ky është kuptimi i fjalës “i mjaftueshëm”, por me sa duket, ekziston një boshllëk në këtë te quajtur vetëmjaftueshmëri.

Vetja nuk u krijua kurrë për ta kënaqur veten, apo për t’u mbështetur te vetja e saj. Ajo nuk mund të jetë kurrë e vetëmjaftueshme. Ne nuk jemi Perëndi. Ne jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Ajo që na bën të jemi “si” Perëndia, nuk është vetëmjaftueshmëria jonë. Ne jemi hije dhe jehona. Prandaj, gjithmonë do të ketë një boshllëk në shpirt, të cilin përpiqemi ta mbushim me burimet e vetes.

Kjo lakmi e kotë për lavdërimin e të tjerëve, vë në pah dështimin e krenarisë dhe mungesën e besimit në hirin e vazhdueshëm të Perëndisë. Jezusi e dalloi efektin e tmerrshëm të kësaj teke për lavdi njerëzore. Ai e tregoi hapur te Gjoni 5:44: “Si mund të besoni ju, që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë e të vetmit Perëndi?” Përgjigjja është se ti nuk mundesh. Dëshira për lavdi nga njerëzit e tjerë e bën besimin të pamundur. Pse?

Sepse besimi e largon vështrimin nga vetja dhe sheh drejt Perëndisë. Besim do të thotë të jesh i kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ty në Jezusin. Nëse je i fiksuar që dëshirat e tua të përmbushen nga lajkat e lëvdatave të njerëzve të tjerë, do të largohesh nga Jezusi. Ai nuk është i tillë. Ai jeton për lavdinë e Atit të Tij dhe na bën thirrje të veprojmë po njësoj.

Gjithsesi, nëse largohesh nga vetja si burimi i kënaqësisë (pendimi) dhe vjen te Jezusi për të shijuar gjithë sa Perëndia është për ty në Të (besimi), atëherë damari i kotësisë do të zëvendësohet nga një plotësi, të cilën Jezusi e quan “një burim uji, që buron në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia