Le të mos flemë, pra, si dhe të tjerët.
1 e Thesalonikasve 5:6
Ka shumë mënyra për ta nxitur të krishterin që të rrijë zgjuar. Së pari, më lejoni t’i këshilloj me gjithë zemër të krishterët, që të flasin me njëri-tjetrin për udhët e Zotit. Në librin Udhëtari të Bunyan-it, përgjatë shtegtimit të tyre drejt Qytetit Qiellor, I Krishteri dhe Shpresëploti i thanë njëri tjetrit: “Le t’ia nisim një bisede të shtruar, se kështu shmangim dremitjen që të shkaktuaka ky vend”. I Krishteri pyeti: “E, nga t’ia nisim, o vëlla?”, ndërsa Shpresëploti u përgjigj: “Aty ku edhe Perëndia ia nisi me ne.” Atëherë, I Krishteri këndoi këtë këngë:
Le të vijnë këtu shenjtorët kur i zë plogështia,
Dhe le të dëgjojnë bisedën e këtyre dy shenjtorëve;
Po, le të mësojnë prej tyre, me çdo kusht,
Që t’mbajnë hapur sytë e tyre të përgjumur.
Bashkësia e shenjtorëve kur është ashtu si duhet,
I mban zgjuar ata edhe përkundër ferrit.
Të krishterët që veçohen nga të tjerët dhe ecin vetëm, kanë më shumë gjasa që të përgjumen herët a vonë. Kultivoje miqësinë e krishterë dhe ajo do të të mbajë zgjuar, po ashtu do të të freskojë e nxitë që të ecësh përpara me hapa më të shpejtë në udhën drejt qiellit. Mirëpo, teksa shijon përbashkësi me të tjerët në udhët e Perëndisë, ki kujdes që tema e bashkëbisedimit tuaj, të jetë Zoti Jezus. Qofshin sytë e besimit të ngulur përherë mbi Të; qoftë zemra juaj e mbushur përherë me Të dhe goja juaj shpalltë se sa i vyer është Ai!
Mik, jeto afër kryqit dhe nuk do të flesh kurrë! Përpiqu ta mbushësh veten me një ndjesi të fortë të vlerës së vendit për ku je nisur! Nuk do të flesh gjatë rrugës nëse i kujton vetes se je nisur për në qiell. Po ashtu, nuk besoj se do të sorollatesh rrugës nëse sjell ndërmend se ferrin e ke prapa vetes dhe se i paudhi të është vënë nga pas. Vallë, a do ta zërë gjumi të pafajshmin nëse e di se armiku po e ndjek këmba-këmbës dhe se qyteti i strehimit gjendet përpara tij?
I krishterë, a do të flesh kur portat e qiellit janë ende hapur, kur këngët e engjëjve të presin që t’i bashkohesh dhe kur të pret një kurorë e artë për masën e kokës sate? Ah, jo, kurrë mos ndodhtë kështu; por duke qëndruar në mes të përbashkësisë së shenjtë, vazhdo t’i mbash sytë hapur dhe të lutesh që të mos biesh në ngasje!
© dritez.al 2024