“...thuaji shpirtit tim: ‘Unë jam shpëtimi yt’”.
Psalmi 35:3
Çfarë më mëson kjo lutje e bukur? Ajo do të jetë lutja ime për sonte; por, si fillim, le ta shfrytëzoj atë për një meditim mësimdhënës.
Së pari, ky varg më tregon se edhe Davidi kishte dyshimet e tij; përndryshe, pse do të lutej: “Thuaji shpirtit tim: Unë jam shpëtimi yt”, po të mos kishte vuajtur vetë nga frikërat dhe dyshimet? Atëherë, le të marr zemër, sepse nuk jam i vetmi shenjtor të cilit i duhet të përballet me luhatjet e besimit. Në qoftë se edhe Davidi pati dyshime, atëherë nuk kam pse nxjerr përfundimin se nuk jam i krishterë për shkak se më zënë dyshimet.
Vargu më kujton se Davidi nuk ishte i kënaqur kur e zinin frikërat dhe dyshimet, por ai paraqitej menjëherë te froni i mëshirës duke u lutur për siguri, sepse ajo ishte për të po aq e vlefshme sa ari. Edhe unë gjithashtu duhet të përpiqem që të nxit një ndjesi të përhershme të pranimit tim në Shumë të Dashurin, dhe nuk duhet të ndiej gëzim për sa kohë që dashuria e Tij nuk ka depërtuar në çdo skutë të shpirtit tim. Kur nuk e kam Dhëndrin tim pranë, shpirti im duhet të digjet për Të.
Mësoj gjithashtu se Davidi e dinte se ku ta gjente sigurinë e plotë. Ai shkonte te Perëndia i tij në lutje, duke i thirrur Atij: “Thuaji shpirtit tim: Unë jam shpëtimi yt.” Duhet të kaloj shpesh kohë vetëm me Perëndinë nëse dëshiroj të shijoj një ndjesi më të qartë të dashurisë së Jezusit. Po pushova së luturi, syve të mi të besimit do t’iu errësohet shikimi. Sa më shumë që të lutemi, aq më shumë do t’i afrohemi qiellit; sa më e ngadaltë që të jetë lutja jonë, aq më i ngadaltë do të jetë edhe përparimi ynë.
Vërej po ashtu se Davidi nuk do të ishte i kënaqur po qe se siguria e tij nuk kishte prejardhje hyjnore. “Thuaji shpirtit tim…” Zot, më fol! Të krishterin e vërtetë nuk do ta kënaqë asgjë tjetër veç një dëshmie hyjnore në shpirtin e tij!
Veç kësaj, Davidi nuk do të gjente prehje nëse siguria e tij nuk ishte e lidhur me një person të gjallë. “Thuaji shpirtit tim: Unë jam shpëtimi yt”. Zot, edhe sikur t’ua kesh thënë këto fjalë të gjithë shenjtorëve, ato nuk kanë shumë vlerë po të mos m’i thuash edhe mua. Zot, unë kam mëkatuar; nuk e meritoj buzëqeshjen Tënde; mezi marr guximin ta kërkoj atë në lutje! Por, oh, të lutem, thuaji shpirtit tim, pikërisht shpirtit tim: “Unë jam shpëtimi yt”! Paça një ndjesi të padiskutueshme, të pagabueshme dhe të menjëhershme personale që unë jam yti dhe që Ti je imi!
© dritez.al 2024