Maj 2023

“Do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.”

2 e Korintasve 6:16

Oh, ç’titull i bukur: “Populli im”! Oh, ç’zbulesë e gëzueshme: “Perëndia i tyre”! Sa shumë kuptim përmbajnë këto dy fjalë: “Populli im”!

Këto fjalë mbartin veçanti. E gjithë bota i përket Perëndisë; madje edhe qiejt dhe qiejt e qiejve janë të Zotit, dhe Ai mbretëron mes bijve të njerëzve. Mirëpo, për të zgjedhurit e Tij, të cilët i ka blerë për Vete, Ai thotë disa fjalë të cilat nuk ua thotë të tjerëve—“populli im”.

Këto fjalë të japin idenë e pronësisë. Në një mënyrë të veçantë, “pjesa e ZOTIT është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij” (Ligji i Përtërirë 32:9). Të gjitha kombet këtu mbi tokë i përkasin Atij; e gjithë bota është nën pushtetin e Tij. Megjithatë, populli i Tij, të zgjedhurit e Vet, janë pjesa e Tij më e veçantë, sepse për ta ka bërë më shumë sesa për të tjerët. Ai i ka blerë me gjakun e Tij; i ka sjellë pranë Vetes; zemra e Tij e madhe u takon atyre; i ka dashur ata me një dashuri të përjetshme, me një dashuri që nuk mund ta shuajnë dot as ujërat e mëdha dhe të cilën epokat që kalojnë, nuk e pakësojnë dot asnjë grimë.

Miq të dashur, a mund ta shihni vallë veten përmes besimit në mes të atyre njerëzve? A mund t’i ngrini sytë drejt qiellit dhe të thoni: “Zoti im dhe Perëndia im: imi për shkak të asaj marrëdhënieje të bukur, e cila më jep të drejtën të të quaj Atë; imi për shkak të asaj përbashkësie të shenjtë, të cilën kam gëzimin që ta shijoj me Ty, sa herë që ke kënaqësinë të më shfaqesh, ashtu si kurrë nuk i shfaqesh botës!”. A mund ta lexosh vallë Biblën pa gjetur në të kontratën e shpëtimit tënd? A mund ta dallosh në të emrin tënd të shkruar me gjakun e çmuar? A mundesh ti, përmes besimit tënd të përulur, të kapesh fort pas rrobës së Jezusit dhe të thuash: “Krishti im”?

Në mundsh, atëherë Perëndia thotë për ty dhe për të tjerë si ty: “Populli im”, sepse në qoftë se Perëndia është Perëndia yt dhe Krishti është Krishti yt, Zoti të ka jashtëzakonisht për zemër; ti je i zgjedhuri i Tij, i pranuar në shumë të dashurin Bir të Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin