Kush i kushton kujdes Fjalës, do të gjejë të mirën dhe kush i beson ZOTIT, është i lumtur.
Fjalët e Urta 16:20
Urtësia është fuqia e vërtetë e njeriut dhe nën drejtimin e saj, ai i zbulon dhe i përmbush më së miri qëllimet e ekzistencës së tij. Trajtimi me urtësi i çështjeve të jetës i fal njeriut kënaqësinë më të madhe, madje për të, kjo është mënyra më fisnike për t’i shpenzuar fuqitë e veta; dhe kështu ai gjen mirësinë në kuptimin e plotë të fjalës.
Pa urtësi, njeriu është si një kërriç gomari, i cili harbon sa andej-këtej, duke e harxhuar më kot forcën që mund të shfrytëzohej në mënyrë më të dobishme. Urtësia është busulla me anë të së cilës njeriu duhet të çajë udhën përmes shkretëtirave të pashkelura të jetës; pa të, ai është si një anije pa timon, nën mëshirën e dallgëve dhe erërave. Njeriut i nevojitet pjekuri në një botë si kjo ose përndryshe, nuk do ta zërë kurrë e mira, po do të bjerë viktimë e një mijë e një të ligave. Nëse nuk i zgjedh hapat me kujdesin më të madh, shtegtarit do t’i bëhen këmbët copë prej drizave e ferrave të pyllit të jetës. Ai që po ecën përmes një humbëtire ku gëlojnë kusarët, duhet të sillet me urtësi nëse do të udhëtojë i sigurt.
Nëse ua vëmë veshin mësimeve të Mësuesit të Madh dhe shkojmë pas Tij aty ku Ai na udhëheq, do të gjejmë të mirën edhe në mes të errësirës dhe do të shijojmë fruta qiellorë, dhe këngët e zogjve të parajsës do të këndohen edhe në mes të zabeleve të kësaj bote. Mirëpo, ku mund ta gjejmë vallë këtë urtësi? Të shumtë janë ata që e kanë ëndërruar, por pa e zotëruar atë. Ku do ta mësojmë vallë? Pa t’ia vëmë pak veshin zërit të Zotit, sepse Ai e ka treguar sekretin. Ai ua ka zbuluar bijve të njerëzve se ku qëndron urtësia e vërtetë dhe këtë e shohim në vargun tonë: “Dhe kush i beson ZOTIT, është i lumtur.” Mënyra e vetme se si mund të sillemi me urtësi është të kemi besim në Zotin. Ky është filli i kuq që ta tregon udhën jashtë labirinteve më të ngatërruara të jetës; ndiqe atë dhe gjej lumturinë e përjetshme! Ai që ka besim në Zotin, merr një diplomë urtësie të dhënë nga frymëzimi: ai është i lumtur tani, dhe akoma më i lumtur do të jetë lart në qiell.
Zot, në këtë mbrëmje të këndshme, shëtit me mua në kopsht dhe më mëso urtësinë që vjen nga besimi!
© dritez.al 2024