Të thirrur shenjtorë.
Romakëve 1:7
Ne jemi shumë të prirur që t’i konsiderojmë shenjtorët apostolikë sikur ata të ishin “shenjtorë” në një mënyrë më të veçantë sesa fëmijët e tjerë të Perëndisë. Të gjithë ata që Zoti i ka thirrur me anë të hirit të Tij dhe i ka shenjtëruar me anë të Frymës së Vet, janë “shenjtorë”; por ne kemi prirjen t’i shohim apostujt si të ishin qenie të jashtëzakonshme, të paprekshëm nga dobësitë dhe tundimet sikurse ne të tjerët.
Mirëpo, duke vepruar kështu, e harrojmë këtë të vërtetë, pasi sa më pranë Perëndisë të jetojë dikush, aq më shumë i duhet atij ose asaj të vajtojë për zemrën e vet të ligë; dhe sa më shumë që e nderon Mjeshtri i vet në shërbesën e Tij, aq më shumë e ngacmon dhe e bezdis atë ligësia e mishit ditë për ditë. E vërteta është se, nëse do të ishim takuar me apostullin Pal, do ta kuptonim se është jashtëzakonisht i ngjashëm me pjesën tjetër të familjes së zgjedhur: dhe se po të kishim folur me të, do të kishim thënë: “Duket se përvojat e tij dhe tonat janë të ngjashme. Ai është më besnik, më i shenjtë dhe më i mësuar sesa ne, por edhe ai ka kaluar përmes së njëjtave sprova. Madje nga një anë, ai është shumë më i sprovuar se ç’jemi ne.”
Prandaj, mos i shih shenjtorët e hershëm si të paprekur nga dobësitë apo mëkatet; dhe mos i trajto me atë nderimin mistik që do të na kthente gati-gati në idhujtarë. Edhe ne mund ta arrijmë shenjtërinë e tyre. Jemi “të thirrur shenjtorë” prej të njëjtit zë që i shtyu ata në thirrjen e tyre të lartë. Është detyra e të krishterit që ta çajë rrugën e tij drejt rrethit të brendshëm të shenjtorëve; dhe në qoftë se këta shenjtorë qëndrojnë më lart sesa ne në arritjet e tyre, ashtu siç vërtet qëndrojnë, atëherë le t’u shkojmë pas; le të imitojmë zellin e tyre të zjarrtë dhe shenjtërinë e tyre. Ne kemi të njëjtën dritë që ata kishin; kemi në dispozicion të njëjtin hir, atëherë si mund të mbetemi të kënaqur pa u barazuar me ta në karakterin e tyre të perëndishëm? Ata jetuan me Jezusin dhe për Jezusin, dhe për pasojë u bënë të ngjashëm me Të. Jetofshim edhe ne me anë të së njëjtës Frymë si edhe ata, “duke i drejtuar sytë te Jezusi” (Hebrenjve 12:2), dhe natyra jonë prej shenjtori do të bëhet shpejt e dukshme.
© dritez.al 2024