spurgeon dev 05 korrik pm
Korrik 2023

Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.

Isaia 26:4

Duke parë se besojmë në një Perëndi të tillë, le të mbështetemi tek Ai me gjithë fuqinë tonë; le ta largojmë me vendosmëri çdo pikë mosbesimi dhe të përpiqemi që t’i heqim qafe dyshimet dhe frikërat tona, të cilat e prishin rehatinë tonë, pasi nuk ka shfajësim për frikën kur Perëndia është themeli i besimit tonë. Një prind i dashur do të lëndohej thellë po qe se fëmija i tij nuk mund të kishte besim tek ai; dhe sa shpirtngushtë, sa e pasjellshme është sjellja jonë kur kemi besim të pakët në Atin tonë qiellor, i cili nuk na ka lënë dhe nuk do të na lërë asnjëherë në baltë.

Sa mirë do të ishte sikur dyshimet të shporreshin një herë e mirë nga shtëpia e Perëndisë; mirëpo, druhem se mosbesimi plak është po aq i gjallë sot sa edhe atëherë kur psalmisti bënte pyetjen: “A do të më hedhë poshtë përgjithnjë Zoti? Dhe nuk do të më pëlqejë më kurrë?” (Psalmi 77:7). Davidi nuk e kishte provuar gjatë shpatën e fortë të viganit Goliath, por megjithatë tha: “Asnjë nuk ia kalon asaj” (1 e Samuelit 21:9). Ai e kishte përdorur atë një herë në orën e fitores së tij në rini, dhe ajo kishte dhënë prova se ishte bërë prej metali të duhur, prandaj edhe e lëvdoi përngaherë.

Porsi Davidi, edhe ne duhet të flasim mirë për Perëndinë tonë, sepse Ai nuk e ka shokun atje lart në qiell a këtu poshtë në tokë. “Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?” (Isaia 46:5), [thotë Perëndia]. Nuk ka shkëmb si shkëmbi i Jakobit, vetë armiqtë tanë e pranojnë këtë. Kështu që dyshimet nuk duhen lënë të fshihen në zemrat tona, por do ta marrim atë mizëri të neveritshme dhe do ta masakrojmë poshtë te përroi, ashtu siç bëri Elia me profetët e Baalit. Në fakt, si përrua për t’i vrarë ata, do të përzgjedhim përroin e shenjtë që rrjedh nga brinja e tejshpuar e Shpëtimtarit tonë. Kemi kapërcyer shumë sprova, por asnjëherë nuk kemi qenë në atë pozitë ku të mos gjenim në Perëndinë tonë gjithçka që na nevojitej. Le të marrim, pra, zemër dhe le të besojmë te Zoti për jetë e mot, duke qenë të sigurt se fuqia e Tij e amshuar do të vazhdojë të jetë, ashtu siç ka qenë deri më sot, çlirimi dhe ngushëllimi ynë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin