Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë.
Romakëve 8:28
Janë disa gjëra për të cilat besimtari është absolutisht i sigurt. Për shembull, ai e di se Perëndia ulet mbi pupën e anijes pikërisht kur ajo tundet më së shumti nga dallgët. Ai beson se një dorë e padukshme është përherë në kontroll të timonit të botës, dhe se sa herë që provania ndryshon drejtim, e bën këtë ngaqë Perëndia ndryshon kursin. Kjo njohuri kaq siguruese e përgatit atë për gjithçka. Ai e hedh vështrimin mbi ujërat e tërbuara, duke parë frymën e Jezusit që ecën mbi to, dhe pastaj dëgjon një zë që i thotë: “Jam unë, mos ki frikë!”. Ai e di gjithashtu se Perëndia është i dijshëm në të gjitha rrethanat, dhe duke e ditur këtë fakt, është i sigurt se nuk mund të ketë aksidente, gabime dhe se asgjë e paparashikuar nuk mund të ndodhë. Ai mund t’i thotë vetes: “Nëse duhet ta humb gjithçka kam, është më mirë që ta humb, sesa të vazhdoj ta kem, nëse ky është vullneti i Zotit: mynxyra më e keqe është gjëja më e urtë dhe më e mirë që mund të më ndodhë nëse është caktuar nga Perëndia.”
“Ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë.” Për të krishterin, këto fjalë nuk janë vetëm një teori, por ai e njeh këtë si një të vërtetë faktike. Deri tani, gjithçka ka bashkëvepruar për mirë; ilaçet vdekjeprurëse të përziera sipas masave të duhura kanë bërë mrekulli; prerjet e mprehta të bisturisë kanë pastruar sëmundjen dhe kanë sjellë kështu shërimin. Deri më sot, çdo ngjarje ka sjellë rezultatet më të bekuara hyjnore; dhe kështu, duke besuar se Perëndia sundon mbi gjithçka, se Ai qeveris me urtësi, se Ai e nxjerr të mirën edhe nga e keqja, zemra e besimtarit sigurohet, dhe ky i fundit mëson që t’i përballojë me qetësinë më të madhe sfidat e jetës sa herë që ato paraqiten. Atëherë, në frymën e dorëzimit të plotë, besimtari mund të lutet: “Dërgomë ç’të duash, o Perëndia im, mjafton që gjithçka të vijë prej Teje, sepse kurrë nuk u erdhi fëmijëve të Tu ndonjë racion i keq nga tryeza Jote!”.
Mos thuaj, shpirti im, “Si mund ta lehtësojë Perëndia hallin tim?”.
Kujto se i Plotfuqishmi shërbëtorë ka kudo.
Metoda e Tij sublime është, dhe e Tija zemër shum’ e butë,
E Tija ndihmë në kohë vjen, as më herët as më vonë.
© dritez.al 2024