“A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj ndërsa ju po rrini këtu?”
Numrat 32:6
Të qenët pjesë e familjes shoqërohet nga detyrimet e veta. Rubenitët dhe gaditët nuk do të ishin sjellë në një mënyrë vëllazërore po qe se do të kishin hedhur rrënjë në tokën e pushtuar dhe do ta kishin lënë pjesën tjetër të popullit që të luftonte me forcat e veta për pjesët e tyre të tokës. Edhe ne kemi përfituar shumë falë përpjekjeve dhe vuajtjeve të shenjtorëve të qëmotit, dhe në qoftë se nuk do t’i kthenim diçka Kishës së Krishtit, duke i falur asaj ajkën e energjive tona, do të ishim të padenjë për t’u regjistruar në radhët e saj. Të tjerë janë duke luftuar burrërisht kundër gabimeve të epokës, ose janë duke i nxjerrë ata që humbin nga rrënojat e Rënies, prandaj, në qoftë se ne qëndrojmë duarkryq, le ta dimë se jemi në rrezik. I Zoti i vreshtit pyet: “Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?”. Cili është justifikimi i përtacit?
Shërbimi ndaj Jezusit kthehet në detyrën e të gjithëve, pikërisht se kryhet me gëzim dhe pa u kursyer nga disa. Mundi i misionarëve të përkushtuar dhe shërbëtorëve të zellshëm duhet të na turpërojë neve nëse vazhdojmë të rrimë pa bërë asnjë punë. Mënjanimi i sprovave është një tundim i vërtetë për ata që banojnë në “rrugën e rehatisë”: Atyre u pëlqen që t’i shpëtojnë kryqit, ama mezi ç’presin të vënë mbi krye kurorën; ja pse për ta, pyetja e meditimit të kësaj mbrëmjeje fiton një vlerë të veçantë. Në qoftë se edhe personat më të çmuar për Perëndinë provohen në zjarr, si mund të mendojmë ne vallë se do t’i shmangemi furrës së rafinimit? Në qoftë se edhe vetë diamanti duhet prerë dhe i duhet dhënë formë, si mund të bëhemi ne vallë të përsosur pa vuajtur? Kush e ka urdhëruar erën që të pushojë së fryri për shkak se anija jonë është në mes të oqeanit? Përse vallë duhet të trajtohemi më mirë sesa Zoti ynë?
Kur e provoi vuajtjen i parëlinduri, përse të mos e provojnë edhe vëllezërit e Tij më të vegjël? Është një krenari burracake ajo që zgjedh një jastëk me pupla dhe një shtrat të shtruar me mëndafsh për një ushtar të kryqit. Më i urtë është ai, i cili pasi i është dorëzuar së pari vullnetit të Perëndisë, ndërsa rritet në hir, mëson të kënaqet me të. Kështu, ai mbledh manafera në shtegun e detyrës, zambakë në këmbët e kryqit, dhe ashtu si Sansoni, gjen mjaltë në skeletin e luanit.
© dritez.al 2024