things you should know about creeds 2560

Maj 2024  


Shumë të krishterë kanë dëgjuar për gjëra të tilla si Besorja e Nikesë apo Besorja e Apostujve, por ka edhe shumë të krishterë të tjerë që kanë një mori konceptesh të gabuara rreth tyre. Ka shumë keqkuptime rreth natyrës, historisë dhe qëllimit të besoreve. Më poshtë kemi renditur pesë gjëra që duhet t’i dini rreth besoreve.

1. Fjala angleze “creed = besore” rrjedh nga fjala latine credo, e cila ka kuptimin e thjeshtë “unë besoj”.

Shumësi i kësaj foljeje është is credimus, që do të thotë “ne besojmë”. Me pak fjalë, kur recitojmë një besore, thjesht po shpallim atë që besojmë. Domethënë nëse beson në ndonjë gjë, edhe ti e ke një besore. Po nëse thua: “Nuk besoj në asnjë besore tjetër veç Krishtit”? E po atëherë, kjo është besorja jote. Vërtet është një besore e shkurtër, por prapëseprapë është një besore. Kur bëhemi të vetëdijshëm për faktin që besoret janë shpallje njerëzore besimi, kjo na ndihmon që ta kuptojmë edhe më mirë marrëdhënien mes Shkrimit të Shenjtë dhe besoreve. Shkrimi i Shenjtë është i frymëzuar. Fjala greke që përdoret te 2 e Timoteut 3:16 është theopneustos, fjalë e cila do të thotë “i/e hukatur nga Perëndia”. Shkrimi i Shenjtë është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Besoret janë fjalët të pafrymëzuara të njerëzve. Në Shkrimin e Shenjtë, ne dëgjojmë Perëndinë të thotë: “Kështu thotë Zoti…”. Në besore i përgjigjemi Atij: “Ne të besojmë…”.

2. Vetë Bibla përdor përmbledhje të ngjashme me besoret.

Mbase shembulli më i mirënjohur i kësaj është Shema te Ligji i Përtërirë 6:4, e cila fillon me fjalët: “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm”. Kjo shpallje që ngjan me besoret, zgjerohet nga Pali te 1 e Korintasve 8:6, duke marrë parasysh edhe zbulesën e mëvonshme rreth Jezu Krishtit. Shpallje të tjera që i ngjajnë besoreve në Dhiatën e Re, ndeshen te Romakëve 10:9-10 (“Jezusi është Zot”) dhe te 1 e Korintasve 15:3-4.

3. Apostujt nuk e shkruan Besoren e Apostujve.

Legjenda sipas së cilës të dymbëdhjetë apostujt shkruan Besoren e Apostujve, ka të ngjarë që lindi në shek. IV-V pas Krishtit, mirëpo nuk ka prova që kjo legjendë të jetë e vërtetë. Ka prova rreth pranisë së deklaratave të besimit nëpër kisha në shek. II dhe III pas Krishtit. Më e mirënjohura prej tyre është Besorja e Vjetër Romake. Përmbajtja e saj, si edhe e atyre të ngjashme me të, ngjason mjaft me përmbajtjen e Besores së mëvonshme të Apostujve. Përmbajtja e të gjitha këtyre deklaratave të hershme të besimit rrjedh prej liturgjive edhe më të hershme pagëzimore, gjatë të cilave atij ose asaj që pagëzohej, i bëheshin disa pyetje, që ai ose ajo u gjegjej me përgjigje të shkurtra formulë. Përmbajtja e këtyre shpalljeve të shkurtra liturgjike të besimit është e njëjtë me përmbajtjen e deklaratave të hershme të besimit. Disa autorë të krishterë të hershëm, sikurse Irenaeus-i, i përshkruanin këto materiale si regula fidei apo “rregull besimi”. Ato ishin një përmbledhje e mësimeve biblike rreth Perëndisë.

4. Besorja e Nikesë u shkrua për të mbrojtur mësimet biblike rreth Perëndisë nga heretikët.

Çdo lexues i Shkrimit e dallon që besorja i mëson disa gjëra mjaft qartë.

  • Së pari, mëson se ekziston një dhe vetëm një Perëndi i vërtetë.
  • Së dyti, mëson se Ati është Perëndi.
  • Së treti, mëson se Biri është Perëndi.
  • Së katërti, mëson se Fryma e Shenjtë është Perëndi.
  • Së fundi, mëson se Ati nuk është as Biri dhe as Fryma, se Biri nuk është as Ati dhe as Fryma, si dhe që Fryma nuk është as Ati dhe as Biri.

Teksa të krishterët dhe jo të krishterët e pyesnin veten se si mund të harmonizoheshin këto pesë mësime me njëri-tjetrin, herë pas here dilnin përgjigje që përpiqeshin t’i zgjidhnin vështirësitë duke hedhur poshtë një ose më shumë prej këtyre doktrinave biblike. Në shek. III pas Krishtit, një burrë që quhej Arius “e zgjidhi” problemin duke pretenduar se Biri nuk ishte Perëndi. Kështu u ndez një debat i madh që zgjati për dekada me radhë. Debati u zgjidh në Këshillat e Nikesë (325 pas Krishtit) dhe të Kostandinopojës (381 pas Krishtit). Produkti i këtyre këshillave ishte ajo që njihet si Besorja e Nikesë. Është një shpallje e besimit të kishës rreth doktrinës biblike të Perëndisë, e shkruar për ta mbrojtur atë besim prej doktrinës anti-kristiane të Ariusit dhe të të tjerëve. Ajo ndjek përvijimin e shpalljeve më të hershme e më të shkurtra të besimit, por shton gjuhë specifike për të parandaluar shtrembërimin heretik të tekstit në fjalë.

5. Përdorimi i besoreve nuk i hap rrugën rënies në katolicizëm.

Siç e përmenda më lart, të gjithë të krishterët e kanë një besore, pavarësisht nëse e kuptojnë këtë apo jo. Për ta kuptuar këtë, mjafton që të pyesësh çdo të krishterë (përfshirë këtu edhe veten): “Si mendon ti, çfarë mëson Bibla në lidhje me (zgjidheni vetë temën)?” Cilado qoftë përgjigjja, ajo është një besore. Protestantët e hershëm nuk i hidhnin poshtë besoret e vjetra të kishës. Ata vazhduan ta mbronin dhe ta jepnin mësim doktrinën biblike të Trinisë, siç përmblidhen në Besoren e Nikesë. Ata vazhduan ta mbronin dhe ta jepnin mësim doktrinën biblike të Krishtit, siç përmblidhej në Përkufizimin e Kalkidonës. Heretikët, si puna e socinianëve (liberalët e shek. XVI), ishin të vetmit që i hodhën poshtë besoret e krishtera.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/5-things-creeds 
Autori: Keith Mathison  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin