spurgeon dev 04 am
October 2023

Aty nga mbrëmja do të ketë dritë.

Zakaria 14:7

Ndodh shpesh që e hedhim vështrimin me druajtje drejt moshës së tretë, duke harruar se aty nga mbrëmja do të ketë dritë. Për shumë shenjtorë, pleqëria është pjesa më e parapëlqyer e jetës së tyre. Një fllad i ëmbël e rreh fytyrën e detarit tek i afrohet bregut të pavdekësisë; deti i tij trazohet nga më pak valë; qetësia sundon e thellë, e heshtur dhe solemne. Flakët e zjarrit të rinisë janë shuar në altarin e moshës, por flaka e thelluar e ndjenjave të vërteta mbetet ndezur. Shtegtarët kanë mbërritur tashmë në tokën e premtuar, në vendin e haresë, ditët e të cilit janë si ditët e qiellit përmbi dhe. E vizitojnë engjëjt, mbi të fryjnë fllade hyjnore, atje rriten lulet e parajsës dhe ajri është i mbushur me muzikë qiellore. Disa banojnë atje për vite e vite me radhë, ndërsa të tjerë vijnë aty vetëm pak orë para largimit të tyre, por ai është një Eden mbi tokë. 

Do të bënim mirë ta dëshironim shumë kohën kur do të pushojmë në korijet e tij plot hije dhe të kënaqemi me shpresë derisa të vijë koha e përmbushjes. Dielli që po perëndon, duket më i madh sesa dielli i mesditës, ndërsa një shkëlqim lavdie i ngjyros të gjitha retë që e shoqërojnë perëndimin e tij. Dhimbja nuk e prish dot qetësinë e muzgut të ëmbël të moshës, sepse fuqia përsoset në dobësi dhe e duron gjithçka me qetësi. Frytet e pjekura të përvojave të zgjedhura janë mbledhur si ushqimi i pëlqyeshëm i mbrëmjes së jetës, ndërsa shpirti gatitet për pushimin që e pret.

Njerëzit e Zotit do të gëzojnë edhe dritë në orën e tyre të vdekjes. Mosbesimi vajton hijet e mbrëmjes, natën që po vjen, ekzistencën që është në të sosur. Mirëpo, besimi klith: “Jo! Nata është gati në të thyer dhe dita e vërtetë po afrohet.” Drita ka ardhur, drita e pavdekësisë, drita e fytyrës së Atit. Mblidhi këmbët në shtrat; pa shihe pak ushtrinë e engjëjve që të presin, gati për të të marrë me vete! Lamtumirë, i dashur, ti po shkon! Ti tund dorën duke na përshëndetur; tani duket drita! Dyert e margaritarta janë të hapura; rrugët e arta shkëlqejnë nën dritën e diasprit. Ne mbulojmë sytë, por ti sodit të padukshmen; lamtumirë, mik i dashur, për ty edhe mbrëmja është bërë dritë, një dritë të cilën ne nuk e kemi parë ende!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin