spurgeon dev 04 pm
October 2023

Dhe në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin.

1 e Gjonit 2:1

“Në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat.” Po, megjithëse mëkatojmë, nuk mbetemi të pambrojtur. Gjoni nuk thotë: “Në qoftë se ndokush ka mëkatuar, e ka humbur avokatin e tij”, por se “kemi një avokat”, edhe pse jemi mëkatarë. Gjithë mëkatet që bëri apo që mund të bëjë ndonjë besimtar, nuk mund ta shkatërrojnë lidhjen e këtij të fundit me Jezu Krishtin si avokatin e vet. Emri që i është dhënë këtu Zotit tonë, është domethënës: “Jezus”. Atëherë, Ai është pikërisht avokati që na nevojitet, sepse Jezus quhet Ai, i cili, jo vetëm që e ka për detyrë, por për më tepër e ka për kënaqësi të shpëtojë. “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Emri i Tij i bukur nënkupton suksesin e Tij. 

Më tej, kemi “Jezu Krishti”—pra, Krishti, që do të thotë i vajosuri i Perëndisë. Titulli në fjalë tregon autoritetin e Tij për të mbrojtur çështjen tonë. Krishti ka të drejtën për të na mbrojtur, sepse Ai është avokati i caktuar nga Ati dhe prifti i zgjedhur prej Tij. Po të ishte avokati i zgjedhur prej nesh, Ai mund të dështonte, por meqenëse Perëndia e ka vendosur të Tijën ndihmë në dikë që është i fuqishëm, atëherë mund t’i vendosim plot siguri hallet tona aty ku Perëndia ka vënë ndihmën e Vet. Ai është Krishti, për rrjedhojë është i autorizuari; Ai është Krishti, pra, është i kualifikuari, sepse vajosja e ka bërë gati plotësisht për punën e Tij. Ai mund të ndërhyjë për ne deri aty sa ta lëvizë zemrën e Perëndisë dhe të ngadhënjejë. Ç’fjalë të buta, ç’fjali bindëse do të thotë i vajosuri kur të dalë përpara trupit gjykues për të mbrojtur çështjen time! 

Mirëpo, mbetet edhe një titull i emrit të Tij për t’u parë: “Jezu Krishti, i drejti.” Ky nuk është vetëm përshkrimi i karakterit të Tij, por edhe përgjërimi i Tij kryesor. Ky është karakteri i Tij, dhe nëse kam të Drejtin për avokat, çështja ime gjendet në duar të sigurta, ose përndryshe, Ai nuk do të kishte marrë përsipër të më përfaqësonte. Kjo është mbrojtja e Tij, sepse Ai i përgjigjet akuzës se jam i padrejtë me argumentin se Ai është i drejtë. Ai e shpall Veten zëvendësuesin tim dhe e vë bindjen e Tij në llogarinë time. Shpirti im, ti ke një mik që është më se i aftë për të qenë avokati yt—suksesi i Tij as që mund të vihet në dyshim, kështu që dorëzohu plotësisht në duart e Tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin