Dashamirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë dhe dashuria e tij.
Titi 3:4
Sa bukur është ta shohësh Jezusin duke pasur përbashkësi me njerëzit e Tij të dashur! Nuk ka gjë më të bukur sesa kur Fryma e Shenjtë na udhëheq drejt kësaj fushe pjellore kënaqësish. Për një çast, mendja le ta shqyrtojë historinë e dashurisë së Shpengimtarit, dhe një mijë e një vepra të mirëdashjes së Tij do të na vijnë në mendje. Që të gjitha kanë pasur si synim të na tërheqin te Krishti dhe të ndërthurin mendjen e Krishtit me mendimet dhe emocionet e shpirtit tonë të rilindur.
Sa herë që meditojmë rreth kësaj dashurie të mrekullueshme dhe shohim Kreun e kishës se si i lë asaj për trashëgimi gjithë pasurinë dhe fuqinë e Tij, shpirtrat tanë për pak sa nuk zalisen nga gëzimi. E kush vallë mund ta përballojë një peshë të tillë dashurie? Madje edhe ndjesia e kufizuar e asaj që Fryma e Shenjtë na jep ndonjëherë, shkon përtej asaj që mund të mbajë shpirti; sa transformuese do të ishte pamja e plotë e saj! Kur shpirti të mësojë t’i dallojë të gjitha dhuratat e Shpëtimtarit, dhe t’i jepet urtësia e nevojshme për t’i vlerësuar ato, si dhe koha e mjaftueshme për të medituar rreth tyre, të tilla siç vetëm qielli do të na i ofrojë, atëherë ne do të kemi një përbashkësi më intime me Jezusin, në krahasim me të tashmen.
Mirëpo, kush mund ta përfytyrojë se sa e ëmbël është një përbashkësi e tillë? Duhet të jetë një ndër ato gjëra që ende nuk kanë hyrë në zemrën e njeriut, por të cilat Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan Atë. Nëse do të mund t’i hapnim dykanatësh dyert e hambarëve të Jozefit tonë të dashur dhe të mund ta shihnim bollëkun që Ai ka ruajtur atje për ne, kjo do t’i bënte zemrat tona të përmbyteshin nga dashuria e Tij. Përmes besimit shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, shëmbëllimin e thesareve të Tija të pamasa, por, në fakt, kur t’i shohim me sytë tanë gjërat qiellore, sa i thellë do të jetë atëherë lumi i përbashkësisë, në të cilin do të zhytet shpirti ynë! Deri atëherë, këngët tona më të gjalla do të ruhen për mirëbërësin tonë të dashur, Jezu Krishtin, Zotin tonë, dashuria e të cilit për ne është e mrekullueshme, madje pafundësisht më e mirë sesa dashuria e një burri për një grua.
© dritez.al 2024