…u ngrit në lavdi.
1 e Timoteut 3:16
E kemi parë Zotin Jezus në ditët kur ishte në mish, të poshtëruar dhe të fyer rëndë: “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes” (Isaia 53:3). Ai, i cili shkëlqen si mëngjesi, e veshi thesin e pikëllimit si rrobën e Tij të përditshme: turpi ishte brezi i Tij dhe të sharat u bënë petkat e Tij. Mirëpo, tanimë, meqenëse Ai ka ngadhënjyer mbi të gjitha fuqitë e errësirës, duke qenë mbërthyer në drurin e përgjakur, besimi ynë e sheh Atë duke u kthyer, të veshur me shkëlqimin e fitores.
Sa i lavdishëm duhet të ketë qenë Ai në sytë e serafimëve, kur një re e largoi nga shikimi i syve vdekatarë dhe e ngjiti lart në qiell! Tani e rrethon lavdia që pati me Perëndinë përpara se të krijohej bota, por madje edhe një lavdi tjetër përmbi të gjitha—ajo të cilën e ka fituar në luftën kundër mëkatit, vdekjes dhe ferrit. Si fitimtar, Ai mban mbi krye kurorën mbretërore. Dëgjoje këngën që ngrihet deri lart në qiell! Është një këngë e re dhe më e bukur: “I denjë është Qengji që u ther; dhe nëpërmjet gjakut Tënd na bleve për Perëndinë.” Ai është veshur me lavdinë e një Ndërmjetësuesi që nuk dështon asnjëherë, të një Princi që nuk mund të mposhtet kurrë, të një Fitimtari që ka ngadhënjyer mbi çdo armik, të një Zoti që ka besnikërinë e çdo shtetasi të Tij.
Jezusi është veshur me gjithë lavdinë që qielli mund t’i dhurojë Atij, për shkak të së cilës i shërbejnë dhjetë mijë herë dhjetë mijë engjëj. Edhe sikur ta shtysh përfytyrimin tënd përtej çdo caku të mundshëm, nuk mund ta konceptosh dot madhështinë e Tij të jashtëzakonshme; megjithatë, ajo do të na zbulohet më qartë kur Ai do të zbresë nga qielli në fuqi të madhe, me gjithë engjëjt e shenjtë—“atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet” (Mateu 25:31). Shkëlqimi i asaj lavdie, kur të shihet, do t’i rrëmbejë zemrat e popullit të Tij. Mirëpo, gjithçka nuk mbaron me kaq, sepse nga përjetësia në përjetësi do të ushtojë lavdërimi për Të: “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi!” (Psalmi 45:6). Lexues, nëse do të ngazëllehesh në lavdinë e Krishtin në të ardhmen, Ai duhet të jetë i lavdishëm për ty që tani. Pra, a është Ai i tillë?
© dritez.al 2024