qershor 4

Qershor 2022


Dëshiroj shumë që Perëndia të thotë për mua atë që tha për Abrahamin, Isakun dhe Jakobin: “Nuk më vjen turp të quhem Perëndia yt.”

Pavarësisht se tingëllon shumë e rrezikshme, a nuk do të thotë kjo në fakt se Perëndia mund të jetë me të vërtetë “krenar” të quhet Perëndia im? Fatmirësisht, kjo mundësi e mrekullueshme rrethohet (te Hebrenjve 11:16) nga arsyet: një para dhe një pas.

Së pari, shiko arsyen pas: “Perëndisë nuk i vjen turp për ta të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.”

Arsyeja e parë që Ai jep se përse nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre është që Ai ka bërë diçka për ta. Ai u bëri gati një qytet—qytetin qiellor “mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia” (Hebrenjve 11:10). Pra, arsyeja e parë pse Atij nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre është që Ai ka punuar për ta, dhe jo e kundërta.

Tani, merr parasysh arsyen që ai jep në fillim. Atje thuhet kështu: “Por tani dëshirojnë një më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp për ta të quhet Perëndia i tyre.”

Fjala “prandaj” sinjalizon që sapo është dhënë një arsye për faktin pse Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia ynë. Arsyeja është dëshira e tyre. Ata dëshirojnë një vend më të mirë—domethënë, një vend më të mirë se sa tokësori në të cilin jetojnë; domethënë, një vend qiellor ku është Perëndia.

Kur ne e dëshirojmë këtë qytet qiellor—këtë vendbanim të Perëndisë—më tepër nga sa mund të na japë kjo botë, Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia ynë. Kur ne e vlerësojmë së tepërmi gjithçka që Ai premton të jetë për ne, Ai ndihet krenar të jetë Perëndia ynë. Ky është lajm i mirë!

Prandaj, mbaji sytë hapur për vendin më të mirë, për qytetin që Perëndia ka përgatitur për ne, dhe lëre veten ta dëshirojë me gjithë zemër. Perëndisë nuk do t’i vijë turp të quhet Perëndia yt.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia