Sepse atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.
2 e Korintasve 5:21
I krishterë vajtues, përse po qan? Vallë, a mos po vajton për mëkatet dhe dështimet e tua? Hidhe vështrimin drejt Zotit tënd të përsosur dhe kujtohu që në Të ke marrë plotësinë! Në sytë e Perëndisë je po aq i përsosur si të mos kishe mëkatuar kurrë; madje më shumë se kaq, sepse Zoti Drejtësia jonë të ka veshur me mantelin mbretëror të drejtësisë, të cilin nuk e ke merituar aspak—ti ke drejtësinë e Perëndisë.
Ti që po vajton për shkak të mëkatit dhe shthurjes së lindur, dije se asnjë nga mëkatet e tua nuk mund të të dënojë. Ti ke mësuar si ta urresh mëkatin; por ke mësuar gjithashtu se ai mëkat nuk është më i yti, sepse u vendos mbi kokën e Krishtit. Pozita jote nuk varet më prej teje—pozita jote është në Krishtin. Pranimi yt nuk është në veten tënde, por në Zotin tënd; madje je po aq i pranuar nga Perëndia sot, me gjithë mëkatshmërinë tënde, sa do të jesh edhe kur të qëndrosh përpara fronit të Tij, i çliruar nga çdo prishje.
Oh, të lutem, kapu fort pas këtij mendimi të çmuar të përsosmërisë në Krishtin! Sepse ti ke marrë “plotësinë në Të” (Kolosianëve 2:10, KJV). Duke qenë se je veshur me petkat e Shpëtimtarit tënd, ti je po aq i shenjtë sa edhe vetë i Shenjti. “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne” (Romakëve 8:34).
I krishterë, le të ngazëllehet zemra jote, sepse je bërë “i pëlqyer në të dashurin” (Efesianëve 1:6, KJV); atëherë, përse vallë ke frikë? Fytyra jote qoftë përherë e buzëqeshur! Jeto pranë Mësuesit tënd; bano në rrethinat e Qytetit Qiellor; sepse së shpejti, kur koha jote të ketë ardhur, do të ngjitesh atje lart, ku Jezusi rri në fron dhe do të mbretërosh në të djathën e Tij; dhe e gjitha kjo sepse “atë, që nuk njihte mëkat”, Zotin Jezus, “e bëri mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”
© dritez.al 2024