Prill 2023

“Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit.”

Isaia 2:3

Është një gjë jashtëzakonisht e dobishme për shpirtin tonë, që të ngrihemi lart mbi këtë botë të ligë, drejt një tjetre më të mirë e më fisnike. Shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimi i pasurive janë në gjendje të shkatërrojnë gjithçka të mirë brenda nesh, dhe kështu ne bëhemi nervozë, zemërlëshuar, dhe mbase edhe krenarë e mishërorë. Bëjmë mirë që t’i presim këta gjemba e ferra, sepse fara hyjnore e mbjellë mes tyre nuk ka gjasa të japë prodhim.

E ku mund ta gjejmë një kosë më të mirë për t’i prerë ata, sesa te përbashkësia me Perëndinë dhe te gjërat e mbretërisë? Ka vise të ulëta në botë, të cilat janë vatrat e sëmundjeve. Doktorët shpesh u sugjerojnë pacientëve të tyre që të shkojnë në male, ku mund të thithin ajrin e pastër dhe të freskët. Duke ia vënë veshin një këshille të tillë, banorët e luginave i lënë banesat e tyre mes kënetave dhe mjegullave sëmundjeshkaktuese, për të thithur ajrin ripërtëritës majë kodrave.

Sonte dëshiroj t’ju ftoj në një bëmë ngjitjeje së bashku drejt lartësive. Fryma e Perëndisë na ndihtë që të lëmë pas mjegullat e frikës dhe ethet e ankthit, dhe të gjitha të këqijat e tjera që mblidhen në këtë luginë tokësore, dhe t’i ngjitemi maleve të gëzimit dhe bekimit që presim! Perëndia Frymë e Shenjtë i këputtë litarët që na mbajnë lidhur këtu poshtë dhe na ndihtë që të ngjitemi lart e më lart! Na ndodh tepër shpesh që të sillemi si shqiponja të lidhura pas degës; madje edhe më keq se kaq, ndryshe nga shqiponjat, ne fillojmë t’i duam zinxhirët tanë duke shkuar deri aty sa, sikur të ishte për ne, nuk do të na pëlqente aspak po të na i thyenin.

Perëndia na dhëntë hir që edhe nëse nuk mund t’u shpëtojmë dot zinxhirëve tanë fizikisht, prapëseprapë, le ta bëjmë këtë frymërisht; dhe duke e lënë trupin, si një shërbëtor, në rrëzë të kodrës, shpirti ynë, ashtu si Abrahami, le të ngjitet deri në majë të malit, që të shijojmë përbashkësinë me Shumë të Lartin!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin