spurgeon dev 04 nëntor am
November 2023

“Sepse fuqia ime përsoset në dobësi.”

2 e Korintasve 12:9

Një kriter parësor që nevojitet për t’i shërbyer Perëndisë me çfarëdolloj mase suksesi, si dhe për ta bërë punën e Perëndisë ashtu siç duhet dhe në mënyrë fitimtare, është pasja e një ndjesie të dobësisë sonë. Kur luftëtari i Perëndisë marshon drejt fushëbetejës, i fortë në fuqinë e tij dhe kur mburret: “E di se do të ngadhënjej—zotësia ime dhe siguria që kam në forcën time, do të më mjaftojnë për të korrur fitore”, ai nuk e ka larg humbjen. 

Perëndia nuk do ta fuqizojë njeriun që marshon në fuqinë e vet. Ai që mendon se do të fitojë në këtë mënyrë, i ka bërë llogaritë gabim, sepse “‘jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën tim’, thotë ZOTI i ushtrive” (Zakaria 4:6). 

Ata që shkojnë për të luftuar, duke u lëvduar me zotësinë e tyre, do të kthehen me bajraqe të zhyera në pluhur dhe me parzmore të njollosura me turp. Ata që i shërbejnë Perëndisë, duhet t’i shërbejnë në mënyrën e caktuar prej Tij dhe në fuqinë e Tij, ose përndryshe, Ai nuk do ta pranojë kurrë shërbimin e tyre. 

Perëndia nuk ka për ta njohur kurrë veprën e njeriut të kryer pa ndihmën e fuqisë hyjnore. Ai i flak tutje frytet e botës; Ai do të mbledhë vetëm ato të korra, farat e të cilave u mbollën nga qielli, u ujitën nga hiri dhe u poqën nga dielli i dashurisë hyjnore. 

Perëndia do të të zbrazë nga gjithçka që ke, përpara se të të mbushë me gjërat e Veta; pra, së pari, do t’i pastrojë hambarët e tu, përpara se t’i mbushë ata me grurin më të mirë. 

Lumi i Perëndisë është i mbushur me ujë, por asnjë pikë e tij nuk rrjedh nga burime tokësore. Perëndia nuk do të lejojë që në betejat e Tij të përdoret fuqi tjetër, përveç asaj që jep Ai. 

A mos vallë po vajton për dobësitë e tua? Merr zemër, sepse duhet të bëhesh i vetëdijshëm për dobësinë tënde, përpara se Zoti të të falë fitore! Zbrazëtia jote nuk është veçse përgatitja për mbushjen tënde, ndërsa përulja jote nuk është veçse preludi i lartësimit tënd.

Kur jam i dobët, i fortë jam,
Hiri shqyti im, Krishtin këngë kam.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>