Me anë të dritës sate ne shohim dritën.
Psalmi 36:9
Nuk ka buzë që mund t’ia rrëfejnë zemrës dashurinë e Krishtit, derisa Vetë Jezusi t’i ketë folur asaj nga brenda. Të gjitha përshkrimet janë tepër të dobëta dhe pa fuqi shprehëse po qe se Fryma e Shenjtë nuk i mbush ato me jetë dhe fuqi; shpirti ynë nuk mund ta shohë dot Perëndinë po qe se Ai nuk na e zbulon Veten. Në qoftë se dëshiron ta shohësh diellin, a do të mblidhje vallë të gjitha mjetet e zakonshme ndriçuese, me qëllim që të të bënin dritë për ta parë shkëlqimin e tij? Jo; njeriu i urtë e di se dielli duhet të vetëzbulohet dhe se ai rruzull madhështor mund të bëhet i dallueshëm vetëm përmes flakërimit të tij. Kështu ndodh edhe me Krishtin. “I lum je ti, o Simon, bir i Jonas”, i tha Ai Pjetrit, “sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi, as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mateu 16:17). Pastroje mishin dhe gjakun me anë të çfarëdolloj procesesh edukative që mund të përzgjedhësh, rriti aftësitë mendore deri në nivelin më të lartë të fuqisë intelektuale, por prapëseprapë, asnjë prej këtyre nuk e zbulon dot Krishtin.
Fryma e Perëndisë duhet të vijë me fuqi dhe ta mbulojë njeriun me hijen e krahëve të Tij, dhe paskëtaj, në atë shenjtërore të shenjtëroreve mistike, Zoti Jezus duhet t’i shfaqet syrit të shenjtëruar, ashtu siç s’u shfaqet bijve frymërisht të verbër të njerëzve. Krishti është pasqyra e Vetes. Shumica e kësaj bote dritëshkurtër nuk mund të shohë asgjë prej lavdive të patregueshme të Jezusit. Ai qëndron përpara tyre pa trajtë ose madhështi, si një rrënjë nga një tokë e thatë, i mohuar nga të marrët dhe i përbuzur nga krenarët.
Vetëm aty ku Fryma i ka ndriçuar sytë, e ka gjallëruar zemrën me jetë hyjnore dhe e ka mësuar shpirtin me shije qiellore, vetëm atje njihet Jezusi. Ai është i çmuar për besimtarin; Ai është guri i qoshes, Shkëmbi i shpëtimit tënd, i gjithi në gjithçka për ty; por për të tjerët, Ai është “një gur pengese dhe një shkëmb skandali” (Romans 9:33). Lum si ata të cilëve Zoti ynë ua zbulon Veten, sepse atyre Ai u ka premtuar se do ta bëjë banesën e Tij tek ata!
O Jezus, Zoti ynë, zemra jonë është e hapur; eja brenda, dhe mos dil më kurrë prej aty! Na u zbulo tani! Na dhuro me hir një vështrim sado të vogël të bukurisë Sate mirëdashëse!
© dritez.al 2024