Mars 2023

“Hiri im të mjafton.”

2 e Korintasve 12:9

Nëse asnjë prej shenjtorëve të Perëndisë nuk do të ishte i varfër e i sprovuar, ne nuk do t’i njihnim aq mirë ngushëllimet e hirit hyjnor. Kur ndeshemi me endacakun që nuk ka se ku ta fusë kokën, i cili, prapëseprapë, thotë: “Unë do t’i besoj Zotit”, apo kur shohim skamësin që e mban shpirtin gjallë me bukë e ujë, i cili, megjithatë, e përlëvdon Jezusin; kur shohim vejushën që vajton e zhytur në pikëllim, e cila, megjithatë, ka besim te Krishti—oh, sa shumë e nderojnë Ungjillin të gjitha këto raste! 

Hiri i Perëndisë shfaqet qartë dhe merr përmasa madhështore në mes të skamjes dhe sprovave të besimtarëve. Shenjtorët përballojnë çdo dekurajim, duke besuar se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën e tyre, dhe se nga të gjitha ato që, në pamje të parë, duken gjëra të këqija, do të burojë një bekim i mirëfilltë—se Perëndia i tyre ose do të kryejë me të shpejtë një vepër shpëtimi posaçërisht për ta, ose do t’i mbështesë me siguri në mes të vështirësive, për sa kohë që Atij i pëlqen t’i mbajë ata në to. Një durim i tillë i shenjtorëve dëshmon për fuqinë e hirit hyjnor. 

Atje tej në det gjendet një far. Duke qenë se është një natë e qetë, nuk mund të them dot nëse ndërtesa në fjalë është e fortë, apo jo. Duhet të presim që stuhia të shpërthejë përreth saj, për të parë nëse ajo do të qëndrojë, apo jo. Kështu është edhe me veprën e Frymës: në qoftë se nuk do të rrethohej shpesh nga ujërat e furishme, nuk do ta merrnim dot vesh nëse vepra do të ishte e vërtetë dhe e fuqishme; në qoftë se murrlani nuk do të frynte mbi të, nuk do ta dinim dot se sa e qëndrueshme dhe e sigurt është ajo. Kryeveprat e Perëndisë janë pikërisht ata njerëz të cilët, në mes të vështirësive, qëndrojnë ballëhapur, të fortë e të patundur—të qetë mes klithmës çoroditëse, me besim të patundur për fitoren. Ai që do ta përlëvdojë Perëndinë e tij, duhet të bëhet gati për të përballuar shumë sprova. Asnjë person nuk mund të bëhet me emër përpara Zotit nëse nuk ndeshet me konflikte të panumërta.

Atëherë, në qoftë shtegu yt është i mbushur me shumë sprova, gëzohu në të, sepse kështu do të jesh në gjendje të shfaqësh hirin e gjithëmjaftueshëm të Perëndisë. Për sa i përket mendimit se Perëndia mund të të lërë në baltë, më mirë të mos të të shkojë fare ndër mend—madje urreje fort atë mendim. Duhet t’i besosh deri në fund Perëndisë që deri më sot ka qenë i mjaftueshëm për ty.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin