Ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate.
Psalmi 36:8
Mbretëresha e Shebës mbeti pa mend nga luksi i tryezës së Salomonit. Ajo u mrekullua tek pa furnizimin e një dite të vetme; dhe mbeti po aq e mahnitur edhe përpara numrit të madh të shërbëtorëve që shijonin festën e mbretit.
Mirëpo, a mund të krahasohet e gjitha kjo me bollëkun e Perëndisë së hirit? Me mijëra e mijëra shërbëtorë të Tij ushqehen aty përditë; dhe, duke qenë të uritur e të etur, ata vijnë në gosti me oreks të madh, por asnjëri prej tyre nuk nuk kthehet pa u ngopur; sepse ka mjaftueshëm për gjithsecilin, mjaftueshëm për të gjithë dhe mjaftueshëm përgjithmonë. Edhe pse të ftuarit që ushqehen në tryezën e Yahveh-ut, janë aq të panumërt sa yjet e qiellit, prapëseprapë, asnjërit prej tyre nuk i mungon racioni i vet.
Mendoni se sa shumë hir nevojitet për një shenjtor të vetëm, kaq shumë, saqë vetëm I Pafundmi mund t’i sigurojë atij furnizim të mjaftueshëm për një ditë. Megjithatë, Zoti e shtron tryezën e Tij jo për një person të vetëm, por për një mori shenjtorësh; jo vetëm për një ditë, por për shumë vite; jo vetëm për shumë vite, por për breza të tërë pa numër. Vëreni gostinë e bollshme për të cilën flet vargu! Të ftuarit e gostisë së mëshirës janë të ngopur—madje edhe të ngopur me bollëk, por jo me një ushqim çfarëdo, por me bollëkun e jashtëzakonshëm të vetë shtëpisë së Perëndisë; dhe një gosti e tillë është e garantuar nga një premtim besnik për të gjithë ata bij të njerëzve, të cilët gjejnë strehë nën hijen e krahëve të Yahveh-ut.
Dikur mendoja se për t’u kënaqur mjaftonte të merrja ushqimin e mbetur te dera e pasme e hirit të Perëndisë, ashtu si gruaja që tha: “Qentë hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.” Mirëpo, asnjë fëmijë i Perëndisë nuk shërbehet me ushqime të mbetura. Ashtu si Mefiboshethi, të gjithë ata hanë nga tryeza e Mbretit. Për sa i përket hirit, të gjithëve na takon racioni i Beniaminit, pra, të gjithë kemi dhjetë herë më shumë nga sa mund të kishim pritur; dhe megjithëse nevojat tona janë të mëdha, prapëseprapë mbetemi shpesh të mahnitur nga plotësia e mrekullueshme e hirit të cilin Perëndia na e jep me bollëk që ta shijojmë.
© dritez.al 2024