maj 4

Maj 2022


Kur bëhet fjalë për bindjen, mirënjohja është një motiv i rrezikshëm. Ajo tenton të shprehet në termat e borxhliut. Për shembull: “Shiko sa shumë ka bërë Perëndia për ty. A nuk duhet që edhe ti, i motivuar nga mirënjohja, të bësh shumë për Perëndinë?” Ose: “Perëndisë i detyrohesh për gjithçka që je dhe ke. Çfarë ke bërë ti për t’ia shpërblyer Atij?"

Personalisht kam të paktën tre probleme me një motivim të tillë.

Së pari, është e pamundur që t’ia shpaguajmë Perëndisë gjithë hirin, që Ai na ka dhënë. Ne s’kemi nga t’ja nisim që ta shpaguajmë atë, sepse Romakëve 11:35-36 thotë: “Kush i dha atij [Perëndisë] më parë, që të ketë për të marrë shpagim? [Përgjigjja: Askush!] Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë!” Ne s’mund t’ia shpaguajmë Atij, sepse Ai tashmë është zotëruesi i gjithçkaje që kemi—përfshirë këtu edhe të gjitha përpjekjet tona.

Së dyti, edhe nëse do t’ja shpaguanim gjithë hirin që na ka dhënë, i vetmi sukses do të ishte që e kemi kthyer hirin në një transaksion biznesi. Nëse mund t’ia shpaguajmë Atij, nuk paska qenë hir. Nëse dikush përpiqet t’ju shprehë vlerësimin, që ka për ju, duke ju ftuar për darkë dhe ju në fund i thoni se do t’jua shpaguani, duke i ftuar për darkë javën e ardhshme, ju po anuloni hirin e tyre dhe e ktheni në biznes. Perëndisë nuk i pëlqen që hiri i tij të anulohet. Atij i pëlqen që hiri i Tij të përlëvdohet (Efesianëve 1:6, 12, 14).

Së treti, përqendrimi te mirënjohja, si një motiv për t’u bindur, ka prirjen që ta shpërfillë rëndësinë thelbësore të të pasurit besim në hirin e ardhshëm të Perëndisë. Mirënjohja hedh vështrimin pas te hiri që ka marrë në të shkuarën, dhe është falënderuese. Besimi sheh përpara drejt hirit të premtuar në të ardhmen–qoftë ajo pesë minuta apo pesë shekuj larg–dhe ndien shpresë. “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen” (Hebrenjve 11:1).

Ky besim në hirin e ardhshëm është motivi për t’u bindur, që e ruan cilësinë e hirshme të bindjes njerëzore. Bindja nuk konsiston në shpagimin e Perëndisë, duke e kthyer kështu hirin në biznes. Bindja vjen nga besimi në Perëndinë për më tepër hir—hir të ardhshëm—dhe kështu i madhëron burimet e pafundme të dashurisë dhe të fuqisë së Perëndisë. Besimi sheh drejt premtimit që thotë se Ai do të jetë “me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9), dhe niset me bindje që ta marrë në zotërim tokën e premtuar.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia