“A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi.”
Jeremia 16:20
Idhujtaria ishte një mëkat që e tërhoqi vazhdimisht Izraelin e lashtë, por edhe kisha i hap vetes veç telashe duke shfaqur prirjen për ta përsëritur të njëjtën marrëzi. Perënditë e lashta të shpikura nga njeriu pothuajse janë zhdukur krejtësisht, ndërsa vendet e larta të krenarisë nuk janë braktisur, dhe viçi i artë është ende në këmbë. Natyra e vjetër vazhdon ende të mburret, ndërsa mishi i ngre altarët e vet kudo ku gjen hapësira për ta. Fëmijët e parapëlqyer janë shpesh shkaku i shumë mëkateve për besimtarët; Zotit i dhemb zemra kur na sheh tek e lëmë mendjen pas tyre përtej çdo mase; ata do të kthehen në një mallkim të madh për ne, ashtu siç qe Absalomi për Davidin, ose do të merren prej nesh, duke na i lënë shtëpitë të shkreta. Nëse të krishterët duan të kultivojnë gjemba me të cilët të mbushin jastëkët, që të mbeten pa gjumë, atëherë le t’i përkëdhelin pa fre të vegjlit e tyre!
Është e saktë të thuash që këto “nuk janë perëndi”, sepse objektet e dashurisë sonë të marrë zor se mund të quhen bekime. Ngushëllimi që ato mund të na japin për momentin, është i rrezikshëm, ndërsa ndihma që mund të na japin kur vjen ora e ligë, është me të vërtetë e papërfillshme. Atëherë, përse vallë jemi kaq të magjepsur pas kotësive? Na vjen keq për paganin e gjorë i cili adhuron një hyjni prej guri, e megjithatë, edhe ne adhurojmë një hyjni prej floriri. Ku qëndron vallë dallimi i madh mes një perëndie prej mishi dhe një tjetre prej druri? Thelbi [është ky], mëkati dhe marrëzia janë të njëjta në të dyja rastet; i vetmi ndryshim është se, në rastin tonë, krimi është më i rëndë, sepse na është dhënë një dritë më e madhe, dhe ne, megjithatë, mëkatojmë kundër saj. Pagani gjunjëzohet përpara një hyjnie të rreme, por ai nuk e ka njohur kurrë Perëndinë e vërtetë; kurse ne bëjmë dy të këqija, sepse braktisim Perëndinë e gjallë dhe u kthehemi idhujve. Na pastroftë Zoti mirë e mirë nga kjo paudhësi e tmerrshme!
Idhullin më të dashur që kam njohur,
Çfarëdo qoftë ai;
Ndihmomë ta shkul nga froni Yt,
Dhe vetëm ty t’adhuroj, o Perëndi.”
© dritez.al 2024