Maj 2023

Të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet.

1 e Pjetrit 1:23

Pjetri i nxiti me gjithë zemër shenjtorët e shpërndarë, që ta donin njëri-tjetrin me një “dashuri vëllazërore pa hipokrizi” (vargu 22), dhe ai nuk e bëri këtë në bazë të ligjit, natyrës njerëzore apo filozofisë, por prej asaj natyre të lartë dhe hyjnore, të cilën vetë Perëndia e ka mbjellë në njerëzit e Tij. Ashtu si një kujdestar princash që ka përvojë, mund të përpiqej që të kultivonte në ta një frymë mbretërore dhe një sjellje fisnike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim argumente që kanë të bëjnë me pozitën dhe prejardhjen e tyre, kështu edhe Pjetri, duke i parë njerëzit e Perëndisë si trashëgimtarë të lavdisë, si princa me gjak mbretëror, si pasardhës të Mbretit të mbretërve, si më e vërteta dhe më e lashta aristokraci e kësaj toke, në thelb, ai u tha atyre: “Ta doni fort njëri-tjetrin me zemër të pastër, për shkak se rridhni nga një sërë e lartë, duke qenë të rilindur jo nga një farë që prishet, për shkak të prejardhjes suaj, duke qenë pasardhës të Perëndisë, Krijuesit të të gjitha gjërave, si dhe për shkak të fatit tuaj të pavdekshëm, sepse do të jetoni për jetë e mot, megjithëse lavdia e mishit do të zvetënohet dhe ditët e tij do të sosen.”

Do të bënim mirë nëse, në frymën e përulësisë, do ta njihnim dinjitetin e vërtetë të natyrës sonë të rilindur dhe të jetonim në lartësinë e tij. Çfarë është vallë një i krishterë? Nëse e krahasojmë me një mbret, ai i shton shenjtëri priftërore dinjitetit mbretëror. Natyra mbretërore e një mbreti shpesh shfaqet vetëm te kurora e Tij, mirëpo te një i krishterë, ajo është e mbjellë në thellësi të natyrës së tij. Ai qëndron shumë më lart sesa shokët e vet, për shkak të rilindjes, ashtu siç qëndron njeriu mbi kafshën vdekatare. Sigurisht, në të gjitha marrëdhëniet e veta, i krishteri duhet të sillet si dikush që është i ndryshëm nga turma, si dikush që është zgjedhur nga kjo botë, i dalluar nga hiri hyjnor, pjesë e “popullit të veçantë [të Perëndisë]” (Titit 2:14).

Trofe të tilla të hirit të Perëndisë nuk mund të zvarriten në pluhur si të tjerët dhe as të jetojnë sipas mënyrës së njerëzve të kësaj bote. Dinjiteti i natyrës sate dhe shkëlqimi i shpresës sate, o besimtar në Krishtin, të detyrofshin të kapesh fort pas shenjtërisë dhe t’i shmangesh madje edhe dukjes së të ligës!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin