“Shenjtëroji ata në të vërtetën tënde.”
Gjoni 17:17
Shenjtërimi zë fill me rilindjen. Fryma e Perëndisë vendos brenda njeriut atë të vërtetë të re rilindëse përmes së cilës ai bëhet “një krijesë e re” (2 e Korintasve 5:17) në Krishtin Jezus. Kjo vepër, e cila nis me rilindjen, vazhdon më tej në dy mënyra: vdekjes së mishit, me anë të së cilës epshet e mishit mposhten e nënshtrohen, dhe gjallërimit, me anë të të cilit jeta e re që Perëndia ka shtënë brenda nesh, kthehet në një burim uji që gurgullon në jetë të përjetshme.
Ky proces realizohet ditë për ditë përmes asaj që quhet këmbëngulje [e shenjtorëve], përmes së cilës i krishteri ruhet dhe mbahet në një gjendje hiri, si dhe shtyhet të kryejë vepra të mira me bollëk për përlëvdimin dhe lavdinë e Perëndisë. I gjithë ky proces e arrin pikën e tij kulmore ose përsoset në lavdi, kur shpirti, pasi është pastruar tërësisht, merret dhe ngjitet në vendet e larta qiellore për të jetuar me qeniet e shenjta në të djathtë të Madhërisë.
Mirëpo, edhe pse Fryma e Perëndisë është autori i shenjtërimit, është edhe një instrument i dukshëm që luan rol në këtë vepër, i cili nuk duhet harruar. “Shenjtëroji ata”, tha Jezusi, “në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” Janë të shumta pasazhet e Shkrimeve që dëshmojnë se Fjala e Perëndisë është instrumenti i shenjtërimit tonë. Fryma e Perëndisë na i kujton parimet dhe doktrinat e së vërtetës, dhe i zbaton ato me fuqi. Pasi janë dëgjuar me veshë dhe janë pranuar në zemër, ato e vazhdojnë veprën e tyre brenda nesh duke na bërë të dëshirojmë dhe të realizojmë vullnetin e mirë të Perëndisë.
E vërteta na shenjtëron, dhe po nuk e dëgjuam apo lexuam atë, nuk do të rritemi në shenjtërim. Jetojmë gjithnjë e më shumë në një mënyrë të shëndoshë, vetëm nëse përparojmë në njohurinë e shëndoshë. “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105). Mos thuaj për asnjë gabim: “Është thjesht një çështje mendimesh të ndryshme.” Ai që fillimisht tolerohet si një gabim i gjykimit, herët a vonë kthehet në një gabim në lidhje me gjërat praktike të besimit. Mbahu fort pas së vërtetës, sepse vetëm duke vepruar kështu, do të shenjtërohesh nga Fryma e Perëndisë!
© dritez.al 2024