Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.
Psalmi 24:4
Shenjtëria e jashtme në jetën e përditshme është një shenjë shumë e çmuar e hirit. Më frikëson fakti që shumë prej atyre të cilët shpallin se janë besimtarë, e kanë shtrembëruar në një mënyrë të atillë doktrinën e drejtësimit me anë të besimit, saqë i trajtojnë veprat e mira me përbuzje. Nëse vazhdojnë në këtë rrugë, përbuzja e amshuar do të jetë shpërblimi që do të marrin në atë ditë madhështore, që do të jetë dita e fundit. Nëse duart tona nuk janë të pastra, le t’i lajmë ato me gjakun e çmuar të Jezusit, dhe kështu le të ngremë duar të pafajshme përpara Perëndisë tonë. Mirëpo, “duart e pafajshme” nuk mjaftojnë po nuk qenë shoqëruar nga “një zemër e pastër”. Besimi i vërtetë është një vepër zemre. Mund ta lajmë e pastrojmë pjesën e jashtme të tasit apo të pjatës sa të duam, por në qoftë se pjesa e tyre e brendshme mbetet e papastër, ne mbetemi të papastër në sytë e Perëndisë, sepse zemrat më shumë sesa duart tona, e tregojnë se kush jemi në të vërtetë. Në fakt, vetë jeta e qenies sonë qëndron në natyrën e saj të brendshme, çka e bën, pra, edhe më të domosdoshme pastërtinë nga brenda. Njerëzit zemërpastër do ta shohin Perëndinë; gjithë të tjerët nuk janë gjë tjetër veçse lakuriqë të verbër nate.
Njeriu që ka lindur për qiellin, “nuk e ngre shpirtin për t’u dukur”. Të gjithë njerëzit kanë gëzimet e tyre përmes së cilave ngrihen shpirtrat e tyre. Në fakt, njeriu i kësaj bote e ngre shpirtin e tij përmes kënaqësive të mishit, të cilat janë thjesht kotësi boshe, ndërsa shenjtori dëshiron gjëra më të qenësishme; porsi Jozafati, edhe ai forcohet në rrugët e Zotit. Ai që kënaqet me lende, do të llogaritet për derr. A të fal kënaqësi bota? Atëherë shpërblimi dhe thesari yt i takojnë kësaj jete; përfito sa të mundesh prej saj, sepse nuk do të njohësh gëzim tjetër.
“Nuk betohet në mënyrë të rreme.” Shenjtorët janë përherë burra të besës. Fjala e nderit e të krishterit është i vetmi betim i tij, por vlen sa për njëzet betime të njerëzve të tjerë. E folura e rreme do t’ia mbyllë një herë e përgjithmonë derën e parajsës çdokujt, sepse një gënjeshtar nuk do të hyjë në shtëpinë e Perëndisë, përkundër besimit apo veprave të tij. Lexues, a mos vallë ndihesh i dënuar nga vargu i sotshëm, apo shpreson që t’i ngjitesh malit të Zotit?
© dritez.al 2024