Por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.
Danieli 11:32
Çdo besimtar është i vetëdijshëm për faktin se njohja e Perëndisë është forma më e mirë dhe më e lartë e njohjes, dhe se kjo njohje frymërore është një burim force për të krishterin. Ajo e forcon besimin e tij. Në Bibël, besimtarët përmenden shpesh si njerëz që ndriçohen dhe mësohen prej Zotit. Thuhet se ata “kanë vajosjen nga i Shenjti” (1 e Gjonit 2:20), dhe se është detyra e veçantë e Frymës që t’u prijë atyre në të gjithë të vërtetën, që ata të mund të rriten në besim.
Njohja e forcon edhe dashurinë krahas besimit të tyre. Njohja hap derën përmes së cilës ne shohim Shpëtimtarin tonë. Ose për të përdorur një krahasim tjetër, njohja pikturon portretin e Jezusit, dhe me ta parë atë portret, ne dashurohemi pas Tij. Ne nuk kemi se si ta duam një Krisht, të cilin nuk e njohim të paktën në njëfarë mase. Po qe se kemi një njohje të kufizuar të virtyteve të shkëlqyera të Jezusit, të asaj se çfarë ka bërë në të kaluarën për ne dhe çfarë është duke bërë për ne sot, nuk mund ta duam dot me dashuri të zjarrtë, por sa më shumë që e njohim Atë, aq më shumë e duam.
Njohja gjithashtu forcon shpresën. Si mund të shpresojmë për diçka nëse nuk jemi të sigurt për ekzistencën e saj? Shpresa mund të jetë teleskopi, por derisa të marrim mësimet e duhura, padija jonë e bllokon xhamin e teleskopit si një tapë e zezë, dhe nuk mund të shohim dot asgjë përmes tij. Njohja e heq këtë tapë të zezë, dhe kur shohim përmes lenteve të xhamit optik, ne zbulojmë lavdinë që do të na shfaqet, dhe e presim atë me siguri të hareshme.
Njohja na fal arsye bindëse për të pasur durim. Si mund të kemi vallë durim po qe se nuk dimë diçka rreth bashkëvuajtjes së Krishtit me ne dhe nuk kuptojmë të mirën që vjen nga ndreqja që na dërgon Ati ynë qiellor? Nuk ka asnjë të krishterë, i cili nuk do të kultivohet dhe përsoset nën kujdesin e Perëndisë me anë të njohurisë së shenjtë. Sa e rëndësishme qenka, pra, që të rritemi jo vetëm në hir, por edhe në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht!
© dritez.al 2024