“Unë ju godita me plasjen, me ndryshkun dhe me breshër në çdo punë të duarve tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë.”
Hagai 2:17
Sa shkatërrimtar është breshri për të korrat, duke hedhur përtokë kokrrat e çmuara të grurit! Sa mirënjohës duhet të jemi kur drithi i shpëton këtij rrënimi kaq të tmerrshëm! Pra, le ta falënderojmë Zotin! Edhe më të frikshëm janë ata shkatërruesit e mistershëm—bloza, ndryshku dhe myku. Këta e kthejnë kallirin në një masë hiri ose e kalbin atë, ose e thajnë drithin, dhe e gjithë kjo në një mënyrë kaq jashtë kontrollit njerëzor, saqë bujku detyrohet të thotë: “Ky është gishti i Perëndisë.” Kërpudha të vogla, të padukshme e shkaktojnë këtë dëm, dhe sikur të mos ishte për mirësinë e Perëndisë, kalorësi hipur mbi kalin e zi do të shpërndante shpejt zi buke mbi tokë. Falë mëshirës së pafundme, ushqimi i njerëzve shpëton, por duke pasur parasysh se këta agjentët e padukshëm janë gjithnjë në gatishmëri për të shkatërruar të korrat, tregohemi të urtë nëse lutemi: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot.” Mallkimi gjendet kudo, kështu që bekimi na nevojitet vazhdimisht. Kur bien vrugu dhe myku, ata janë ndreqje nga qielli, dhe njerëzit duhet të mësojnë t’i pranojnë ashtu si duhet.
Nga pikëpamja frymërore, myku nuk është një e keqe e pazakontë. Ky vrug shfaqet sa herë që puna jonë duket sikur po jep fryte. Shpresonim për shumë kthime në besim, dhe në vend të kësaj, gjithçka bie në amulli, përbotshmëria gëlon nga të gjitha anët, ose ja tek vjen papritur një ngurtësim mizor i zemrës! Ndoshta mund të mos ketë mëkate të dukshme në mes të atyre me të cilët po punojmë, por ka një mungesë sinqeriteti dhe vendosmërie, gjëra këto që na shkaktojnë zhgënjim të madh. Nga kjo mësojmë të mbështetemi në Zotin, si dhe domosdoshmërinë e lutjes, në mënyrë që të mos bjerë më vrug mbi punën tonë. Krenaria ose përtacia frymërore janë preludi i pashmangshëm i së keqes së frikshme që mund të bjerë mbi ne, dhe vetëm Zoti i të korrave mund të na ruajë prej saj. Myku mund të orvatet madje t’i sulmojë zemrat tona, t’i thajë lutjet tona dhe ta ftohë zellin tonë. Dashtë Bujku i madh që ta parandalojë një mynxyrë kaq të madhe! Ndriço, o Diell i bekuar i Drejtësisë, dhe dëboji sëmundjet nga ne!
© dritez.al 2024