Përtëri tek unë një frymë të patundur.
Psalmi 51:10
Një besëshkelës, në i pastë mbetur qoftë edhe një shkëndijë jete, do ta dëshirojë me rënkime rimëkëmbjen. Për këtë ripërtëritje nevojitet i njëjti ushtrim hiri si edhe në kthimin tonë në besim. Atëherë na nevojitej pendimi, i cili natyrisht që na duhet edhe tani. Na duhej besim që të mund të vinim te Krishti në fillim, dhe vetëm i njëjti hir mund të na sjellë prapë te Krishti tani. Atëherë na mjaftonte një fjalë nga Shumë i Larti, një fjalë nga goja e Shumë të Dashurit, për t’u dhënë fund frikërave tona; kur të na zërë pesha e mëkatit të tanishëm, shpejt do të zbulojmë se kemi nevojë për të njëjtën fjalë pa vonesë. Askush nuk mund të përtërihet në besim në mungesë të një manifestimi të vërtetë dhe real të energjisë së Frymës së Shenjtë, i cili duhet të jetë i njëjtë me atë që ndjeu në fillim, sepse puna që duhet kryer, është po aq e madhe, ndërsa mishi dhe gjaku janë një pengesë po aq e fortë tani, sa ishin edhe më parë.
Qoftë dobësia jote e brendshme, o i krishterë, një arsye më shumë që të shtyn për t’iu lutur me gjithë shpirt Perëndisë tënd për ndihmë! Kujtoji vetes që, kur u ndje i pafuqishëm, Davidi nuk mbeti duarkryq dhe as gojëkyçur, por nxitoi te froni i mëshirës duke klithur: “Përtëri tek unë një frymë të patundur!”. Mos lejo të biesh në gjumë për shkak të doktrinës që thotë se, pa ndihmën hyjnore, ti nuk mund të bësh asgjë; por qoftë ajo një hosten që të shpon në brinjë, për të të shtyrë me zell të patreguar drejt Ndihmës së fortë të Izraelit! O paç hir që t’i përgjërohesh Perëndisë sikur të ishe duke u lutur për faljen e vetë jetës sate—“Përtëri tek unë një frymë të patundur!”. Ai që i lutet sinqerisht Perëndisë, që ta bëjë një gjë të tillë, do ta dëshmojë sinqeritetin e vet duke përdorur mjetet përmes të cilave vepron Perëndia.
Ngulmo në lutje; jeto vazhdimisht me Fjalën e Perëndisë; vriti epshet që e kanë larguar Zotin prej teje; bëj kujdes që të jesh vigjilent ndaj kryengritjeve të ardhshme të mëkatit! Zoti i ka caktuar rrugët e Tij; ulu buzë tyre dhe do të jesh gati kur Ai të kalojë andej pari. Ngulmo në të gjitha ato mjete të bekuara hiri, të cilat do t’i ushqejnë e mëkojnë hiret e tua që po japin shpirt; dhe duke e ditur se gjithë fuqia duhet të rrjedhë prej Tij, mos pusho së thirruri: “Përtëri tek unë një frymë të patundur!”.
© dritez.al 2024