spurgeon dev 31 pm
October 2023

“Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.”

Osea 13:5

Po, Zot, vërtet më njohe në gjendjen time të rënë, dhe pikërisht atëherë më zgjodhe për veten Tënde. Kur isha i neveritshëm dhe e urreja veten, më pranove si fëmijën Tënd dhe kënaqe edhe dëshirat e mia më të thella. Bekuar qoftë përjetë emri Yt për këtë mëshirë të pasur, të bollshme e të dhënë falas! Qysh atëherë, jeta ime e brendshme i ka ngjasuar shpesh një shkretëtire; por megjithatë, Ti më ke mbajtur në paqe si të dashurin Tënd dhe ke derdhur përrenj dashurie dhe hiri mbi mua, për të më gëzuar dhe për të më bërë të frytshëm. Po, edhe atëherë kur rrethanat e jetës sime kanë qenë aq keq sa më s’bëhej dhe jam endur në një tokë të tharë, prania Jote e ëmbël më ka ofruar përdëllim. Të tjerët kanë bërë sikur nuk më kanë njohur, dhe jam përçmuar, por ti e ke njohur shpirtin tim mes vështirësive, sepse asnjë pikëllim nuk e zvetënon shkëlqimin e dashurisë Sate. O shumë i hirshmi Zot, të madhëroj për të gjithë besnikërinë që ke treguar ndaj meje mes sprovave, dhe më vjen shumë keq që me raste të kam harruar dhe jam krenuar në zemrën time, megjithëse për gjithçka i isha dhe i jam borxhli zemërbutësisë dhe dashurisë Sate! Ki mëshirë për shërbëtorin tënd në lidhje me këtë! 

Shpirti im, në qoftë se Jezusi të pranoi në gjendjen e poshtme ku ndodheshe, sigurohu që të identifikohesh me Të dhe kauzën e Tij tani që të rrethojnë pasuritë dhe bollëku! Mos të të rritet mendja nga sukseset e kësaj bote dhe mos ki turp për të vërtetën ose për kishën e gjorë pjesë e së cilës je bërë! Ndiqe Jezusin edhe në mes të shkretëtirës: mbaje kryqin tënd përkrah Tij edhe mes flakëve të përndjekjes! Ai të pranoi ty, o shpirti im, në mes të varfërisë dhe turpit—mos u trego kurrë aq tradhtar, sa të turpërohesh me Të! O e ngrënça me bukë turpin në mendofsha se mund të turpërohem me Shumë të Dashurin tim! Jezus, shpirti im ngjitet pas Teje!

Në ditë plot dritë do të vij te Ti,
Por edhe në net plot shqetësim,
Shkëlqimit më të madh Ti ia kalon!
Më i bukuri mbetesh gjithmonë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>