Mars 2023

Dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Isaia 53:5

Pilati ia dorëzoi Zotin tonë [ushtarëve] që ta fshikullonin. Duhet ditur se kamxhiku romak ishte instrumenti më i tmerrshëm i torturës. Kamxhiku ishte bërë prej gilcës së buallit, me kocka të mprehta të ndërfutura përgjatë fijeve të tij, prandaj sa herë që binte mbi trupin e njeriut, këto copa kocke shkaktonin të çara, madje edhe e shkëpusnin mishin nga kocka. Natyrisht, Shpëtimtari u lidh pas shtyllës dhe pastaj u rrah [mizorisht]. Ai qe rrahur edhe më herët; por ky fshikullim nga ushtarët romakë qe pa dyshim më i llahtarshmi. Shpirti im, qëndro këtu dhe qaj mbi trupin e gjorë dhe të fshikulluar të Shpëtimtarit tim!

Ti që beson në Jezusin, a mundesh vallë ta vështrosh Atë pa derdhur lotë, tek qëndron para teje, Ai, pasqyra e dashurisë vetëmohuese? Ai ishte njëherësh i dëlirë si zambaku në pafajësi dhe i kuq si trëndafili me ngjyrën e purpurt të gjakut të Tij. Tek e ndiejmë shërimin e bekuar e të sigurt që vurratat e Tij e kanë sjellë në ne, a nuk tretet vallë zemra jonë menjëherë nga dashuria dhe dhimbja? Nëse e kemi dashur ndonjëherë Zotin tonë Jezus, duhet ta ndiejmë me siguri atë ndjenjë dashurie të digjet brenda zemrave tona tani.

Shih sa i qet’ qëndron Jezusi,
I fyer deri aty ku më nuk mban!
Të ligjt’ kan’ lidhur duart e t’Përjetshmit,
Dhe pështyjn’ fytyrën e Krijuesit.
Me gjemba tëmthat prerë e çarë
Currilat e gjakut rrjedhin nga çdo anë;
Fshikulluar e Tija shpinë me kamxhik me kokla.
Por më të mpreht’ fshikuj zemrën i çajnë.

Ndoshta do të dëshironim fort të shkonim në dhomat tona të gjumit dhe të qanim; por meqenëse na thërret puna e përditshme, së pari, do t’i lutemi Zotit Jezus që ta gdhendë imazhin e Tij të përgjakur mbi rrasat e zemrës sonë për gjithë ditën, dhe pastaj, në mbrëmje do të kthehemi të kemi përbashkësi me Të dhe do të pikëllohemi që mëkati ynë i kushtoi Atij kaq shtrenjtë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin