Mars 2023

Ritspaha, e bija e Aiahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qëndruar aty nga fillimi i korrjes, derisa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin mbi ta gjatë ditës dhe egërsirat e fushave të afroheshin natën.

2 i Samuelit 21:10

Nëse dashuria e një gruaje për bijtë e saj të vrarë e bëri atë që ta vazhdonte rojën e saj të përzishme për një periudhë kaq të gjatë; vallë, a do të lodhemi ne duke i shqyrtuar me imtësi vuajtjet e Zotit tonë të bekuar? Ajo nuk i la shpendët grabitqarë të afroheshin; vallë, a nuk do t’i përzëmë edhe ne nga përsiatjet tona ato mendime mëkatare të kësaj bote, të cilat na fëlliqin edhe mendjen, edhe çështjet e shenjta rreth së cilave duhet të mendojmë? 

Largohuni, ju o zogj të ligj e grabitqarë! Mos e prekni flijimin! Ajo përballoi zhegun e verës, vesën e natës dhe shiun, në qiell të hapur dhe e vetmuar. Gjumi u arratis nga sytë e saj të përlotur: zemra e saj sa nuk pëlciste, ndaj nuk mund të dremiste. Shiko se sa shumë i donte fëmijët e saj! Nëse Ritspaha mund të duronte kaq shumë, si mund të heqim dorë që në të parën vështirësi apo sprovë të vogël vallë? A jemi kaq burracakë sa të mos e përballojmë vuajtjen me Zotin tonë? Ajo largoi madje edhe kafshët e egra, duke vepruar me një guxim të rrallë; vallë, a nuk do të jemi gati të ndeshemi me çdo armik për hir të Jezusit? Fëmijët e saj ishin vrarë nga duar të huaja, e megjithatë, ajo qau edhe vigjiloi mbi ta.

Po ne që e kemi kryqëzuar Zotin tonë me anë të mëkateve tona? Detyrimet tona janë të pakufizuara; dashuria jonë duhet të jetë e zjarrtë dhe pendesa e thellë. Vigjilimi bashkë me Jezusin duhet të jetë puna jonë; mbrojtja e nderit të Tij, profesioni ynë, ndërsa qëndrimi poshtë kryqit të Tij, përdëllimi ynë. Ato kufomat e llahtarshme mund t’i kishin kallur datën Ritspahës, veçanërisht gjatë natës, por në Zotin tonë, në këmbët e kryqit të të cilit jemi ulur, nuk ka asgjë të papëlqyeshme, madje çdo gjë është tërheqëse. Kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një bukuri të gjallë më magjepsëse sesa një Shpëtimtar që po vdes. 

Jezus, ne do të vazhdojmë të vigjilojmë bashkë me Ty. Na e zbulofsh Veten Tënde plot hir, sepse atëherë nuk do të qëndrojmë më të veshur me thasë, por do të rrimë në një shatorre mbretërore.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin