Mbreti kapërceu përroin e Kidronit.
2 i Samuelit 15:23
Davidi e kapërceu atë përrua të zymtë tek po arratisej i shoqëruar nga shpura e tij vajtuese, për t’i shpëtuar birit të tij tradhtar. Burri sipas zemrës së Perëndisë nuk u shpëtoi andrallave; në fakt, jeta e tij ishte e mbushur me to. Ai ishte jo vetëm i Vajosuri i Zotit, por edhe i Godituri i Zotit. Atëherë, përse mendojmë se mund t’u shpëtojmë andrallave? Më fisnikët e popullit tonë kanë pritur në portat e pikëllimit me koka të mbuluara me hi. Atëherë, përse duhet të vëmë gjëmën sikur vuajtjet tona të ishin një gjë e rrallë?
Vetë Mbreti i mbretërve nuk eci në një rrugë më të gëzueshme ose mbretërore. Atij iu desh të kapërcente përroin e fëlliqur të Kidronit, në të cilin derdheshin ujërat e zeza të Jerusalemit. Perëndia pati një Bir të pamëkatë, por nuk ka as edhe një bir të vetëm që t’i ketë shpëtuar purtekës. Është një gëzim i madh për ne të besojmë se Jezusi është tunduar në të gjitha gjërat ashtu sikur ne.
Cili është Kidroni ynë këtë mëngjes? A mos është vallë një shok i pabesë, një humbje pikëlluese, një fyerje shpifëse apo një parandjenjë e zymtë? Mbreti i ka kaluar të gjitha këto. A mos është vallë dhimbje trupore, skamje, përndjekje apo përbuzje? Mbreti ynë i ka kapërcyer përpara nesh të gjithë këta Kidronë. “Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua” (Isaia 63:9). Duhet të heqim një herë e përgjithmonë dorë nga mendimi se sprovat tona janë një përvojë e pazakontë, sepse Ai që është Kreu i të gjithë shenjtorëve, e njeh nga përvoja e Vet brengën që ne mendojmë se është kaq e veçantë. Të gjithë qytetarët e Sionit duhet të bëhen pjesë e Shpurës së Nderuar të Vajtuesve, Kreu dhe Komandanti i së cilës është Princi ynë Emanuel.
Pavarësisht se u poshtërua [botërisht], Davidi, prapëseprapë, u kthye në ngadhënjim në qytetin e tij, dhe Zoti i Davidit u ngrit nga varri fitimtar; kështu që le të marrim zemër, sepse edhe ne do të ngadhënjejmë sot. Me gëzim do të nxjerrim sërish ujë nga puset e shpëtimit, megjithëse aktualisht po përballemi me përrenjtë e mëkatit dhe pikëllimit. Merrni zemër, ushtarë të Kryqit, vetë Mbreti juaj ngadhënjeu pasi kapërceu përroin e Kidronit dhe, si Ai, do të ngadhënjeni edhe ju!
© dritez.al 2024