Ai... shëron të gjitha sëmundjet e tua.
Psalmi 103:3
Kjo është një thënie vërtet përulëse, mirëpo, një gjë është e sigurt, ne të gjithë, pak a shumë, vuajmë nga sëmundja e mëkatit. Ç’ngushëllim i madh është kur e dimë që kemi një Mjek të madh, i cili është edhe i aftë, edhe i gatshëm të na shërojë! Le të mendojmë pak për Të sonte!
Kurat e Tij janë shumë të shpejta—mjafton një shikim i Tij për të na dhënë jetën; kurat e Tij janë rrënjësore—Ai godet vetë thelbin e sëmundjes dhe, për këtë arsye, kurat e Tij janë të sigurta dhe dorë me një. Ai nuk dështon kurrë dhe sëmundja nuk kthehet më. Nuk ka sëmundje që të përsëritet, kur e shëron Krishti, dhe nuk ka vend për drojën se pacientët e Tij janë përmirësuar vetëm për njëfarë kohe. Ai i bën ata njerëz të rinj, po ashtu u jep një zemër të re dhe vendos frymën e duhur brenda tyre.
Ai është shumë i aftë t’i shërojë të gjitha sëmundjet. Zakonisht, mjekët janë të specializuar në një fushë të vetme. Megjithëse mund të dinë nga pak për të gjitha dhimbjet e sëmundjet tona, ekziston rëndom një sëmundje të cilën e kanë studiuar me rrënjë e me degë; por Jezu Krishti e njeh plotësisht çdo skutë të natyrës njerëzore. Ai e gjen menjëherë diagnozën për çdo mëkatar, dhe kurrë nuk ekziston ndonjë rast i pazakontë që të jetë i pazgjidhshëm për të. Atij i është dashur të përballet me komplikacione të pazakonta sëmundjesh nga më të ndryshmet, por Ai ka ditur se si, me një shikim të vetëm, ta trajtojë me përpikëri pacientin. Ai është i vetmi mjek universal; dhe ilaçi që Ai jep, është me të vërtetë i vetmi ilaç i përgjithshëm, që shëron çdo lloj sëmundjeje.
Cilado qoftë sëmundja jonë frymërore, ne duhet të shkojmë menjëherë te Mjeku Hyjnor! Nuk ka zemërthyerje që Zoti Jezus nuk mund ta fashojë. “Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të Tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 e Gjonit 1:7). Mjafton të mendojmë për ata mijëra e mijëra besimtarë që janë shëruar nga të gjitha llojet e sëmundjeve falë fuqisë dhe meritës së prekjes së Tij, dhe me gëzim do ta lëmë veten në duart e Tij. Ne besojmë tek Ai dhe mëkati vdes; ne e duam Atë dhe hiri jeton; ne e presim Atë dhe hiri forcohet; ne e shohim Atë ashtu siç është, dhe hiri përsoset përgjithmonë.
© dritez.al 2024