spurgeon dev 31 korrik am
July 2023

“Unë në ta.”

Gjoni 17:23

Nëse kjo është lidhja që ekziston mes shpirtit tonë dhe personit të Zotit tonë, sa i thellë dhe i gjerë është kanali i përbashkësisë sonë! Nuk është një kanal i ngushtë përmes të cilit mund të kalojë vetëm një rrëke uji; ky është një lum me thellësi dhe gjerësi të mahnitshme, përgjatë gjatësisë së lavdishme të të cilit vërshon një vëllim shumë i madh uji të gjallë. Pa shiko se si ka vendosur Ai përpara nesh një derë të hapur; le të mos mënojmë të hyjmë në të!

Ky qytet i përbashkësisë ka shumë porta të margaritarta, ku çdo portë është e bërë prej një margaritari të vetëm, dhe ku secila portë është e hapur dykanatësh për të na lënë të hyjmë, duke na siguruar për mikpritjen [e Tij]. Nëse do të ekzistonte qoftë edhe një e çarë e vogël përmes së cilës të flisnim me Jezusin, do të ishte vërtet një privilegj i madh të kalonim një fjalë përbashkësie përmes derës së ngushtë; mirëpo, sa shumë të bekuar jemi që na është dhënë një derë kaq e madhe! Sikur Zoti Jezus të ishte larg prej nesh dhe një det i stuhishëm të na ndante prej Tij, do të kishim dashur të dërgonim një lajmëtar që t’i përcillte Atij dashurinë tonë të madhe dhe që të na sillte lajme nga shtëpia e Atit të Tij. Mirëpo, shihni se sa e madhe është mirësia e Tij—Ai e ka ndërtuar shtëpinë një hap larg nesh. Në fakt, më shumë se kaq, Ai banon me ne dhe e ngre banesën e Tij në zemrat tona të gjora e të përulura, me qëllim që të ketë marrëdhënie të përhershme me ne.

Oh, sa të marrë do të ishim po qe se nuk do të kishim përbashkësi të përhershme me Të! Normalisht, nuk është për t’u habitur që miqtë takohen rrallë me njëri-tjetrin kur i ndan një udhë e gjatë, e rrezikshme dhe e vështirë, por kur ata jetojnë së bashku, a do ta harrojë vallë Jonathani Davidin e tij? Kur i shoqi niset për një udhëtim, një grua mund të rrijë për ditë të tëra pa biseduar me të, por ajo nuk do të mund ta duronte kurrë ndarjen prej tij po qe se do ta dinte se ai gjendej në një prej dhomave të vetë shtëpisë së saj. Përse vallë, o besimtar, nuk ulesh në gostinë e Tij të verës? Kërkoje Zotin tënd, sepse Ai gjendet afër; përqafoje Atë, sepse është yt Vëlla! Pushtoje fort, sepse është Bashkëshorti yt dhe shtrëngoje fort pas zemrës sate, sepse Ai është mish nga mishi yt.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin