spurgeon dev 31 korrik pm
July 2023

Këta ishin këngëtarë… ishin të zënë ditë e natë me punën e tyre.

1 i Kronikave 9:33

Gjërat ishin organizuar aq mirë në tempull, saqë kënga e shenjtë nuk duhej të pushonte kurrë, sepse këngëtarët e lëvdonin pa ndërprerje Zotin, mëshira e të cilit zgjat për jetë e mot. Ashtu si mëshira nuk pushonte së sunduari as natën e as ditën, kështu edhe muzika nuk e ndërpriste asnjëherë shërbesën e saj të shenjtë. Zemra ime, ja ku e ke një mësim që të jepet ëmbëlsisht përmes këngës së vazhdueshme të tempullit të Sionit. Ti je një debitore e përhershme, prandaj bëj kujdes që mirënjohja jote, porsi dashuria, të mos venitet kurrë. Lavdërimi i Perëndisë nuk pushon kurrë në qiell, vend i cili do të jetë banesa jote përfundimtare; pra, mos pusho së bëri prova për halelujën tënde të përjetshme! Përreth botës, ndërsa dielli shpërhap dritën e tij, rrezet e tij i zgjojnë besimtarët mirënjohës, që t’ia marrin himnit të mëngjesit, me qëllim që lavdërimi i pandërprerë i priftërisë së shenjtorëve të vazhdojë orë pas ore. Ata e mbështjellin globin tonë me një petk falënderimi dhe i ngjeshin ijët e tij me një brez të artë kënge.

Zoti meriton të lavdërohet gjithmonë për atë që Ai është në Veten e Tij, për veprat e Tij të krijimit dhe të provanisë, për mirësinë e Tij ndaj krijesave të Veta, dhe veçanërisht për veprën e Tij të jashtëzakonshme të shpengimit, si dhe për të gjitha bekimet e tjera që rrjedhin prej saj. Bëjmë mirë ta lavdërojmë gjithnjë Zotin; lavdërime të tilla e bëjnë të hareshme ditën dhe e bëjnë dritë natën, lehtësojnë punën e lodhshme të ditës dhe zbusin pikëllimin; por edhe mbi gëzimin e kësaj bote derdhin një rrezatim shenjtërues, i cili e bën më të vështirë verbimin tonë prej shkëlqimit të tij. A nuk kemi vallë arsye për të thurur këngë në këtë çast? A nuk mund ta kompozojmë dot një këngë duke përdorur si burim frymëzimi gëzimet tona të tanishme ose çlirimet e së kaluarës, ose shpresat tona për të ardhmen? Toka jep frytet e saj verore: bari i thatë futet në plevicë, gruri i artë pret draprin dhe dielli e zgjat edhe ca kohën e tij të ndriçimit mbi tokën pjellore dhe e shkurton intervalin e natës, me qëllim që ne të mund të shtojmë orët e adhurimit të devotshëm. Falë dashurisë së Jezusit, le të nxitemi që ta mbyllim ditën me një psalm që rrezaton hare të shenjtëruar!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin