spurgeon dev 31 gusht am
August 2023

Do të kenë besim në krahun tim.

Isaia 51:5

Në kohët e sprovave të rënda, i krishteri nuk ka asgjë në tokë të cilës të mund t’i besojë, dhe si rrjedhojë, është i detyruar të hidhet në krahët e Perëndisë. Kur barka e tij është duke u përmbysur, dhe nuk ka asnjë mjet shpëtimi njerëzor, atij i duhet që thjesht t’ia besojë veten plotësisht provanisë dhe kujdesit të Perëndisë. Sa e lume stuhia që e përplas njeriun pas një shkëmbi të tillë! O uragan i bekuar që e shtyn shpirtin drejt Perëndisë dhe vetëm drejt Perëndisë! Ndonjëherë, moria e miqve na mban larg Perëndisë; por kur njeriu zhytet kaq shumë në varfëri, mbetet pa miq dhe pa përkrahje, duke mos pasur askund tjetër ku të shkojë, nxiton për te krahët e Atit të tij qiellor, dhe është i bekuar që është atje! Kur rëndohet nga shqetësime kaq të veçanta dhe torturuese, saqë nuk mund t’i ndajë dot me askënd tjetër, veçse me Perëndinë, bën mirë të jetë mirënjohës për to; sepse atëherë do të mësojë më tepër për Zotin e tij sesa në një kohë tjetër.

Oh, besimtar i përplasur nga stuhia, e bekuar është vështirësia që të çon tek yt Atë! Meqë ke veç Perëndinë të cilit mund t’i besosh, sigurohu që ta vendosësh gjithë besimin tënd tek Ai. Mos e çndero Zotin dhe Mësuesin tënd me frikëra dhe dyshime të kota; por ji i fortë në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë! Tregoji botës se Perëndia yt vlen sa dhjetë mijë të tilla për ty! Tregoju pasanikëve se sa i pasur je në skamjen tënde kur Zoti Perëndi është Ai që të ndihmon! Tregoju të fortëve se sa i fuqishëm je në dobësinë tënde kur poshtë teje ndodhen krahët e përjetshëm! Tani është koha për vepra besimi dhe bëma të guximshme. Ji i fortë dhe shumë i guximshëm, dhe Zoti Perëndia yt, ashtu siç ndërtoi qiejt dhe tokën, me siguri do ta përlëvdojë Veten përmes dobësisë sate dhe do ta madhërojë fuqinë e Tij mes mundimeve të tua. Madhështia e harqeve qiellore nuk do të ishte e njëjtë sikur qielli të qëndronte mbi një shtyllë të vetme të dukshme, po ashtu edhe besimi yt do ta humbiste lavdinë e vet nëse do të mbështetej në ndonjë gjë të dallueshme nga sytë njerëzorë. Fryma e Shenjtë të dhëntë prehje në Jezusin në këtë ditë të fundit të muajit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin