spurgeon dev 31 gusht pm
August 2023

Po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë…

1 e Gjonit 1:7

“Sikurse Ai është në dritë!” Vallë, a mund ta arrijmë ndonjëherë këtë? A do të jemi ndonjëherë të aftë të ecim po aq qartësisht në dritë sa edhe Ai, të cilin e thërrasim “Ati ynë”, për të cilin është shkruar: “Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire” (vargu 5)? Natyrisht, ky është modeli që na paraqitet, sepse Vetë Shpëtimtari ynë tha: “Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj që është në qiej” (Mateu 5:48); dhe megjithëse e dimë mirë se nuk mund të hahemi dot me përsosmërinë e Perëndisë, prapëseprapë duhet të përpiqemi për ta arritur, duke mos zënë rehat derisa ta arrijmë. Artisti i ri, tek kap lapsin e sapomprehur, zor se mund të shpresojë të arrijë nivelin e Rafaelit apo Mikelanxhelos; mirëpo, prapëseprapë, nëse nuk ka në mendje një ideal fisnik, zor se mund të arrijë diçka përtej së zakonshmes dhe së rëndomtës.

Mirëpo, çfarë do të thotë shprehja që i krishteri duhet të ecë në dritë, sikurse Perëndia është në dritë? Mendojmë se ajo përcjell një ngjashmëri, por jo nivelin në të cilin ajo duhet arritur. Ne jemi po aq realisht në dritë, po aq me zemër në dritë, po aq sinqerisht në dritë, po aq ndershmërisht në dritë, ndonëse nuk mund të jemi të gjithë në të njëjtën masë në dritë. Unë nuk e ngre dot banesën në diell—ai është një vend tepër i shndritshëm për të qenë vendbanimi im, por unë mund të eci në dritën e diellit. Po kështu, megjithëse nuk mund ta arrij atë përsosmëri të dëlirësisë dhe të së vërtetës që i përket Zotit të ushtrive, për vetë natyrën e Tij si pafundësisht i mirë, prapëseprapë mund ta vë vazhdimisht Zotin përpara syve dhe të përpiqem që, me anë të ndihmës së Frymës që banon brenda meje, të përshtatem me shëmbëllimin e Tij.

John Trapp-i, komentuesi i lashtë dhe i mirënjohur [i Shkrimeve], thotë: “Mund të jemi në dritë, sikurse Perëndia është në dritë, për sa i përket cilësisë, por jo barazisë.” Duhet të kemi të njëjtën dritë, madje duhet ta kemi vërtet atë, dhe të ecim në të, sikurse edhe Perëndia, ndërsa për sa i përket barazisë me Perëndinë në shenjtërinë dhe në dëlirësinë e Tij, kjo është një gjë që do të arrihet vetëm pasi të kalojmë Jordanin dhe të hyjmë në përsosmërinë e Shumë të Lartit. Vër re se si bekimet e përbashkësisë së shenjtë dhe pastrimit të përsosur janë të lidhura me ecjen në dritë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin