Unë do të të kremtoj, o Zot.
Psalmi 9:1
Lutja që ka marrë përgjigje, duhet të pasohet përherë nga falënderimi, ashtu siç ngrihet nga toka afshi mirënjohës për rrezet e dashurisë qiellore që e ngrohin.
A nuk është sjellë Zoti plot hir me ty dhe a nuk ia ka vënë veshin fjalëve të përgjërimit tënd? Atëherë, falënderoje Atë sa të kesh jetë! Lëre frytin e pjekur të bjerë në dheun pjellor prej të cilit e mori jetën. Mos mbetsh pa i kënduar lavde Atij që ta dëgjoi lutjen dhe të ka plotësuar dëshirën e zemrës! Të qëndrosh gojëkyçur ndaj mëshirave të Perëndisë do të thotë të biesh pre e mëkatit të mosmirënjohjes; do të thotë të sillesh në një mënyrë po aq të pacipë sa nëntë të lebrosurit, të cilët pasi ishin shëruar nga lebra, nuk u kthyen për ta falënderuar Zotin që i kishte shëruar. Të harrosh t’i thurësh lavde Perëndisë, është njëlloj sikur t’ia mohosh të mirat vetes, sepse lavdërimi, ashtu si edhe lutja, është një mjet shumë i dobishëm për të nxitur rritjen e jetës sonë frymërore. Na ndihmon për t’u çliruar nga barrët, për të na zgjuar e forcuar shpresat dhe për të na shtuar besimin. Është një ushtrim i shëndetshëm e fuqizues, i cili zgjon pulsin e besimtarit dhe e përgatit atë për të tjera vepra të mëdha në shërbim të Mësuesit të vet.
Jo vetëm ne, por edhe të tjerët nxjerrin dobi tek e bekojmë Perëndinë për mëshirat që ka treguar ndaj nesh [sepse thuhet që]: “Njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen” (Psalmi 34:2). Të tjerët që po kalojnë situata të ngjashme, do të ngushëllohen po t’u themi atyre: “Madhështojeni ZOTIN bashkë me mua, dhe të lartësojmë bashkë emrin e tij… Ky i pikëlluar klithi dhe ZOTI e dëgjoi…” (Psalmi 34:3, 6). Zemërdobëtit do të forcohen dhe shpirtrat e shkurajuar do të gjallërohen kur shenjtorët të dëgjojnë “këngët [tona] të çlirimit” (Psalmi 32:7). Dyshimet dhe frikërat e tyre do të qortohen tek e mësojmë dhe e këshillojmë njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore. Edhe ata do të “këndojnë rrugët e ZOTIT” (Psalmi 138:5), kur të na dëgjojnë tek e madhështojmë emrin e Tij të shenjtë.
Lavdërimi është detyra më qiellore e të krishterit. Engjëjt nuk luten, por ata nuk pushojnë së lëvduari ditë e natë Zotin; ndërsa të shpenguarit, të veshur me petka të bardha, duke mbajtur degë palmash në duar, nuk lodhen kurrë së kënduari këngën e re: “I denjë është Qengji” (Zbulesa 5:12).
© dritez.al 2024