spurgeon dev 30 pm
October 2023

“Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë.”

Kënga e Këngëve 8:13

I bukuri Zoti im Jezus e mban mend mirë kopshtin e Gjetsemanit, dhe megjithëse e ka lënë atë vend, Ai banon tashmë në kopshtin e kishës së Vet: atje Ai u zbulohet atyre që kanë përbashkësi të bekuar me Të. Zëri i dashurisë, me të cilin i flet të dashurës së Tij, është më melodioz sesa harpat e qiellit. Ka një thellësi dashurie të melodishme brenda Tij që ia kalon çdo muzike njerëzore. Me dhjetëra mijëra mbi tokë dhe miliona atje lart në qiell janë pushtuar nga notat e Tij harmonike. Disa që i njoh mirë dhe që i kam tej mase zili, po e dëgjojnë në këto çaste atë zë të dashur.

O sa mirë do të ishte sikur të merrja edhe unë pjesë në gëzimin e tyre! Është e vërtetë se disa prej tyre janë të vobektë, disa të tjerë duke lënguar në shtrat nga sëmundjet dhe ca të tjerë pranë portave të vdekjes; por, o Zoti im, sa do të dëshiroja të ngordhja urie bashkë me ta, të lëngoja dhe të vdisja me ta, vetëm e vetëm që të mund ta dëgjoja zërin Tënd! Dikur e dëgjoja shpesh, por ja që e kam trishtuar Frymën Tënde. Kthehu tek unë me dhembshuri dhe thuamë sërish: “Unë jam shpëtimi yt”!

Nuk ka zë tjetër që mund të më kënaqë. E njoh zërin Tënd, prandaj nuk mund të më mashtrojë asnjë tjetër; lejomë që ta dëgjoj sërish, të përgjërohem! Nuk e di se çfarë do të thuash, dhe as kam ndonjë kusht për të ta vënë, o I Dashuri im; por mjafton që të të dëgjoj tek më flet, madje edhe sikur të më qortosh, do të të bekoj për këtë. Mbase pastrimi i veshëve të mi të shurdhër mund të kërkojë një operacion që shkakton shumë dhimbje, por sado i lartë qoftë çmimi që duhet të paguaj, unë kam veç një dëshirë të zjarrtë—dua të dëgjoj zërin Tënd.

Çaji veshët e mi me notat më të larta të zërit Tënd, por mos lejo që të mbetem i shurdhër ndaj thirrjeve të Tua! Sonte, Zot, përmbushe dëshirën e shërbëtorit Tënd të padenjë, sepse të përkas Ty, dhe Ti më ke blerë me gjakun Tënd! M’i ke hapur sytë të të shikoj dhe prej atij shikimi jam shpëtuar. Zot, hapi edhe veshët e mi! E kam lexuar atë ke në zemër; tani lërmë të dëgjoj prej buzëve të Tua!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>